Lajme
I shkarkuari nën dyshimet për korrupsion nga Peci gjen “strehë” në Vetëvendosje, pozon me Kurtin
Demokracia
21:54 | 07 Dhjetor 2023

Share:

Para pesë muajve, ministri Faton Peci e kishte liruar nga detyra e këshilltarit të tij, Hysen Muzliukajn, i cili ishte arrestuar si i dyshuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” gjatë kohës si drejtor në Komunën e Mitrovicës.

Muzliukajt mund t’i ketë mbetur hatri në ministrin Peci pse e shkarkoi, por më shefin e ish-shefit të tij duket se ka raporte të mrekullueshme, shkruan Demokracia.com.

Ai po e përkrah fort Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurtin. Më këtë të fundit është parë edhe në fotografi së bashku para disa ditëve. Muzliukaj është emër i njohur edhe për kryeministrin Kurti, meqë i njëjti para pak muajve ra në pranga të policisë, por kjo nuk e pengon atë që të shfaqet më të publikisht. E me pëlqime në fotografi po i rrin gati edhe Agim Bahtiri.

Në muajin korrik të këtij viti, Peci e kishte liruar nga detyra këshilltarin e tij, Hysen Muzliukaj, i cili ishte arrestuar si i dyshuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” deri sa ishte drejtor në Komunën e Mitrovicës.

“Derisa drejtësia ta thotë fjalën e fundit, Hysen Muzliukaj do të lirohet nga detyra”, kishin konfirmuar nga zyra e ministrit Peci, përcjell Demokracia.com.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte kryer në korrik bastisje në dy lokacione, në pronën e kryeshefit të Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, si dhe ish-drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj.

Prokuroria kishte njoftuar se në dy pronat e bastisura kishte sekuestruar 60 mijë euro, të cilat ishin gjetur në pronën e Faruk Mujkës së LVV-së, por që më pas avokati i tij Xhafer Tahiri, që është nga radhët e LDK-së, ishte munduar t’ia zhbllokojë duke dhënë arsye jo fort të besueshme.

“Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro”.

Prokuroria Speciale njoftonte se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kishin shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, duke tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe pa i respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Tutje, Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me këtë rast kishte njoftuar opinionin publik se në maj të vitit 2022 kishte pranuar informacione lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve, PSRK kishte autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.

Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa më datë 03.07.2023 kishte paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në Komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, ishin përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës.

Ndaj dy të dyshuarve ishte caktuar masa e paraburgimit për 48 orë./Demokracia.com/

 

Të ngjashme