Lajme
I quajti të “shthurur” dhe tha se martesat mes së njëjtës gjini “janë të dëmshme”, Konjufca i reagon bashkëpartiakes Demi Murtezi
Demokracia
16:59 | 16 Mars 2022

Share:

Teksa po vazhdon debati parlamentar lidhur me Projektkodin Civil, në Kuvendin e Kosovës, Labinotë Demi Murtezi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka deklaruar votën e saj kundër martesave mes sekseve të njëjta.

Demi Murtezi ka thënë se Projektkodi Civil nuk e parasheh një martesë mes gjinive të njëjta.

“Ligji nuk e parasheh fare martesën mes gjinisë së njëjtë”, tha ajo.

Tutje, Labinotë Demi Murtezi tha se këto martesa ndërmjet sekseve të njëjta “janë të dëmshme për shëndetin e njeriut”.

Demi Murtezi tha se secili shtet flet për vete se cili është standardi i moralit shoqëror derisa tha se për vendin e saj e sheh si të pranueshme martesën e personave e gjinive të kundërta.

“Çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral. Deklaroj votën time kundër në formën se si ka ardhur ky kod civil, prandaj i them po martesës tradicionale, mbrojtës së moralit publik, mbrojtjes së shëndetit publik dhe mbi të gjitha mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve”, tha ajo.

‘’Arsyeja e dytë për të cilën është më mirë të mos parashihet është mbrojtja e shëndetit publik. Martesat mes gjinive të njëjta janë të dëmshme për shëndetin e njeriut’’, tha deputetja nga radhët e VV-së.

“I them po martesës tradicionale, mbrojtjes së shëndetit publik dhe mbrojtjes së interesit të fëmijëve’’, shtoi ajo.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, më pas i ka reaguar deputetes së VV-së, Labinotë Demi Murtezi.

“Megjithatë, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të mbrojtur prej diskriminimit dhe prej paragjykimeve. Prandaj mendoj që nëse në diskursin tonë për njerëz të cilët kanë orientime të ndryshme seksuale ndaj nesh, përdorim terma si ‘shthurje’, ‘degjenerim moral’ dhe ‘sëmundje’, unë mendoj që janë të padrejta dhe jam kundër këtij diskursi”, tha Konjufca.

Në Projektkodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Të ngjashme