Sport
“I plotësoj kriteret”, Mbappe e sheh veten fitues të Topit të Artë këtë vit
Demokracia
10:55 | 20 Qershor 2023

Share:

Sulmuesi i Francës dhe Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe beson se i plotëson të gjitha kriteret për të qenë fitues i Topit të Artë.

Emri i Mbappes vazhdon të jetë shumë i përfolur pasi francezi nuk po planifikon të zgjasë kontratën me PSG-në përtej vitit 2024.

Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar atë të shënoi golin e fitores 1-0 të Francës kundër Greqisë në ndeshjen e vlefshme kualifikuese për Euro 2024.

Me këtë gol Mbappe, i cili në moshën 24 vjeçare nuk e ka fituar ende ‘Topin e Artë’, arriti në 54 gola në një sezon mes klubit dhe kombëtares, duke mposhtur legjendën, Just Fontaine (53) si lojtari francez që ka shënuar më shumë gola në një sezon të vetëm.

Në përfundim të ndeshjes, Mbappe mori pjesë në mikrofonat e mediumit TF1 dhe hodhi kandidaturën për të fituar Topi i Artë nga France Football më 30 tetor.

“Topi i Artë? Është gjithmonë e vështirë të flasësh për një trofe individual. Sepse duhet të dallosh veten. Kjo është diçka që nuk kalon domosdoshmërisht në sytë e publikut të gjerë”, ka thënë fillimisht Mbappe.

“Mendoj se i plotësoj të gjitha ato kritere. Unë do të thosha po, por janë njerëzit që votojnë dhe unë jam gjithmonë optimist”, përfundoi ylli francez.

Në datën 6 shtator, revista ‘France Football’ do të shpallë listën e futbollistëve të nominuar për të fituar ‘Topin e Artë’, çmim që vendi më i afërt për ta fituar ishte në vitin 2018 kur ishte i katërti në renditje dhe çmimin e fitoi Luka Modric.

Golashënuesi Erling Haaland, fitues i Ligës së Kampionëve, Ligës Premier dhe Kupës FA me Manchester Cityn, dhe Lionel Messi, ftues i Kupës së Botës dhe Ligue 1 me PSG-në, janë në mesin e favoritëve kryesorë për të fituar ‘Topin e Artë’ të vitit 2023.

Fituesi i ‘Topit të Artë’ në vitin e fundit ishte sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema.

Të ngjashme