Lajme
I plagosuri i sotëm jashtë rrezikut për jetë, i stabilizohet gjendja pas intervenimit mjekësor
Demokracia
19:13 | 08 Maj 2022

Share:

Bajram Babiqi, i cili u plagos sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes së shtëpisë së tij në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, tani është në gjendje me stabile. Kështu kanë bërë të ditur nga QKUK-ja për Demokracia.com.

I plagosuri Bajram Babiqi tashmë është në mjekim intensiv ka thënë për Demokracia.com mjekja kujdestare në Klinikën Emergjente, Dafina Basholli.

“Ai është futur në sallën operative. Kemi intervenuar shumë shpejtë. Është nxjerrë nga salla operative në gjendje stabile dhe është në mjekim intensiv shëndetësor”, ka thënë Basholli për Demokracia.com.

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka bastisur një shtëpi në Prishtinë, ku ka hasur në rezistencë nga pronari i saj dhe ka pasur gjuajtje me armë në drejtim të tyre.

Kjo ngjarje ka ndodhur sot rreth orës 08:00, pas një operacioni në rrugën “Asllan Pireva” në Prishtinë.

Ky person, siç ka mësuar Demokracia.com, ka gjuajtur mbrëmë me armë dhe me të marrë informacionin, policia ka shkuar për ta bastisur dhe ka hasur në rezistencën e tij.

Në shtëpinë e tij, gjatë bastisjes janë gjetur një arsenal i madh armësh, përfshirë edhe automatik AK-47.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

Sipas policisë, gjatë bastisjes i dyshuari ka drejtuar armën në drejtim të zyrtarëve policorë.

“Me të arritur në lokacion-shtëpinë e banimit të personit të dyshuar, policia ka hasur në personin e dyshuar, i cili papritmas ka drejtuar armën në drejtim të zyrtarëve policorë, duke ua rrezikuar jetën e tyre. Falë shkathtësive dhe veprimeve të shpejta të zyrtarit policor, i njëjti në vetëmbrojtje ka përdorur armën ndaj personit të dyshuar me qellim të neutralizimit të rrezikut për jetën e tij dhe kolegëve të tjerë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme