Kryeministri Albin Kurti është deklaruar për vizitën e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq në Kosovë.
Kurti në një konferencë për medie të dielën tha se kërkesa për vizitën e Bërnabiqit ka ardhur pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci kanë kërkuar leje për të shkuar në Luginën e Preshevës, shkruan Demokracia.com.
“Shpresoj që vizitat e zyrtarëve t’i kontribuojnë lëvizjes së lirë në përgjithësi. Por, pres që zonjën Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit të Beogradit që jepte deklarata përçarëse, ndarëse e që kishin për qëllim tensionimin. Kemi nevojë të përqendrohemi te jeta më e mirë e gjithë qytetarëve”, tha Kurti.
Ai më tej lavdëroi qeverisjen e tij, duke thënë se beson që Qeveria e Kosovës me Kurtin kryeministër, për këto më pak se një vit e gjysmë, ka bërë më shumë se çdo qeveri paraprake.
“Edhe sa i përket punësimit të personave nga komunitetet joshumicë. Por, edhe këtu kemi një vështirësi. Sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike. Edhe te komunitetet joshumicë listat e të punësuarve në institucionet publike janë përpiluar nga partitë politike. Nuk është e lehtë që një avaz që ka vazhduar për mbi 20 vjet të ndryshojë për më pak se një vit e gjysmë”, tha më tej ai.
Kujtojmë se e ashtuquajtura “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë ka bërë me dije sot se kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq do të vizitojë Kosovën ditën e hënë. Nga kjo “zyrë” kanë thënë se këtë vizitë po e bëjnë publike 72 orë më herët, siç edhe thotë marrëveshja për vizitat zyrtare.
Ndërkohë institucionet e Republikës së Kosovës janë përgjigjur pozitivisht një kërkesë të tillë për vizitë dhe do të lejojnë kryeministren serbe të hyjë në Kosovë. Kjo përgjigje pozitive nga Kosova vjen pas arritjes së marrëveshjes për punën e letërnjoftimeve. /Demokracia.com/
LEXO EDHE: