Lajme
I padituri mungon për shkaqe shëndetësore, shtyhet seanca për kompensim dëmi nga një aksident i ndodhur në 2018-ën
Demokracia
14:29 | 20 Janar 2022

Share:

Mungesa e të paditurit Besart Shaqiri ishte shkak i mos mbajtjës së seancës të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, pasi ky i fundit kishte probleme shëndetësore.

Në lidhje me këtë rast, nga i padituri i lartcekur paditësja “Beta Distribution”, po kërkon kompensimin e dëmit nga aksident i ndodhur në 2018-ën në vlerë kontesti 1 mijë e 880 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Isa Gashi për të paditurin Shaqiri ka thënë se i njëjti ka qenë i njoftuar me procesverbal të datës 19 nëntor 2021, por se ai mungesën nuk e ka arsyetuar dhe as nuk ka kërkuar shtyrjen e së njëjtës.

Në seancën e sotshme ishte paraqitur nëna e të paditurit Adifete Shaqiri, e cila tha se djali i saj nuk mund të ishte i pranishëm për shkaqe shëndetësore.

Propozimin për shtyrjen e seancës nuk e kundërshtoi as përfaqësuesja e paditëses Gentiana Behluli.

Seanca e radhës u caktua më 15 shkurt 2022.

Gjykatësi Gashi shtoi se, me ftesë do të ftohet i padituri Besart Shaqiri.

Sipas padisë së ushtruar më 25 tetor 2018, paditësja “Beta Distribution” po kërkon nga i padituri Besart Shaqiri kompensim dëmi për aksidentin e 10 shkurtit 2018 me automjetin e paditëses.

Në padi thuhet se paditësi “Beta Distribution”, ka lidhur kontratë pune më 11 gusht 2017, për kohë të pacaktuar dhe atë në cilësi të punëdhënësit me të paditurin, në cilësi të punëmarrësit, marrëdhënie punë kjo që ishte themeluar për kryerjen e punëve dhe detyrave të punës në pozitën depoist sipas Aneksit 1, të bashkëngjitur kontratës së punës.

Siç thuhet në padi, i padituri gjatë kryerjes së detyrave ka pësuar aksident me automjetin e kompanisë “Beta Distribution” si rezultat i pakujdesisë së tij.

Tutje, në padi thuhet se dëmi në fjalë fillimisht ishte kompensuar përkohësisht nga ana e paditësit tek personi i tretë (automekaniku) e pastaj palët ishin marrë vesh që i padituri ta bëjë kompensimin e dëmit shkurtim në pagën bazë të tij, për një interval kohor prej 26 muajve në këste mujore.

Mirëpo, thuhet se i padituri ishte larguar vullnetarisht nga puna në muajin e tretë të kësaj marrëveshje, me ç’rast kishte ngelur pa e kompensuar dëmin e shkaktuar tek paditësi për 23 muajt vijues.

Gjithnjë sipas padisë, i padituri ka dështuar ta përmbush në mënyrë vullnetare obligimin e tij përveç tri kësteve të muajit shkurt, mars dhe prill 2018. Për këtë arsye duke mos pasur rrugë tjetër, paditësi kërkon që këtë të drejtë ta realizojnë përmes rrugëve gjyqësore, duke kërkuar nga gjykata që ta detyrojë të paditurin që ta përmbush obligimin e tij.

Përmes padisë, paditësi po kërkon nga gjykata që të aprovohet në tërësi padia dhe kërkesëpadia e paditësit “Beta Distribution” si e themeltë dhe të detyrohet i padituri Besart që në emër të kompensimit të dëmit material, përkatësisht dëmit real të paguajë shumën prej 1 mijë e 880 euro me kamatë ligjore prej momentit të paraqitjes së padisë e deri në pagesën përfundimtare. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme