Sportdashësit do të kenë mundësinë të blejnë fanellën e famshme të Maradonës, të cilën ai e veshi në çerekfinale kundër Anglisë në vitin 1986 kur shënoi me dorë.
Fanella e quajtur “dora e Zotit” me siguri do të shkojë në duart e një pasaniku, pasi çmimi i saj është 5.25 milionë euro të pabesueshme, transmeton Demokracia.com.
“ Dora e Zotit është një moment unik jo vetëm në historinë e sportit, por edhe në shekullin e 20-të në përgjithësi”, tha Bram Woocher nga shtëpia e ankandeve Sotheby në Londër, e cila shet këtë fanellë dhe shtoi:
“Ai moment bëri jehonë përtej kufijve të botës së futbollit. Ai frymëzoi libra, filma dhe dokumentarë. Sot, Maradona mbahet mend si një nga më të mëdhenjtë që ka luajtur ndonjëherë futboll dhe ajo fanellë është një pjesë e rëndësishme e historisë së saj. Sigurisht që në atë ndeshje nuk u shënua vetëm goli i quajtur “dora e Zotit”, por edhe një gol që shpesh cilësohej si një nga golat më të mëdhenj të të gjitha kohërave” – përfundoi Votcher.
Fanella e Maradonës mund t’i afrohet rekordit të mbajtur nga fanella e veshur nga lojtari i Neë York Yankees Babe Ruth, e cila u shit për 5.64 milionë dollarë. Kjo është hera e parë që fanella e Maradonës del në treg, më parë është ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Futbollit në Mançester.
Fanella do të jetë e disponueshme në ankand online nga 20 prilli deri më 4 maj dhe gjatë kësaj periudhe do të ekspozohet në shtëpinë e ankandeve Sotheby në Londër.