Lulzim Hetemi për gati gjysmë viti po qëndron i ngujuar në Komunën e Leposaviqit. Nga gjithçka që ka ndodhur jashtë prej kur u fut aty me ndihmën e Policisë, kryetari nuk e ka harruar ironinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me të, të cilit i reagoi.
Lulzim Hetemi, kryetari i Leposaviqit i ngujuar në objektin e kësaj komune që nga maji, nuk duket shumë i mërzitur në atë hapësirë ku ha, rri, punon, pastrohet dhe fle tash e 5 muaj.
Që prej kur hyri në atë objekt me ndihmë të Policisë, vendi i u përball me tensione të shumta që shkuan deri në dhunë e më pas arritën deri te një sulm nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, që e la të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.
Nga të gjitha zhvillimet, akuzat, deklaratat për gati gjysmë viti, Hetemi mban mend veçanërisht disa fjalë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili herë pas here e ka përmendur atë.
Hetemi tha të mërkurën se nuk do të dorëzohet dhe se do të vijojë të qëndrojë aty. Ramën e quajti “kryeministër kukull”.
“Në fillim me të thënë të vërtetën fort jam shqetësuar. Mendojsha për çka jam unë këtu. Këtu dy rrugë janë, ja me ecë e me e lënë këtë territor qysh tha Rama tokë e shkretë, tokë e askujt – por mua s’ma ka marrë mendja me e lënë. Sa i përket fjalëve, çka me thënë…”, tha ai në një intervistë për RTK-në.
“Ose duhet me ecë, me shku në jug e me e lënë tokë të askujt qysh tha.. se kryeministër i Shqipërisë ka emër të madh, por z. Rama që ka thënë, dhe që është marrë dy-tri herë me mua shaka duke bë, po dihet.. po i del fytyra edhe atij që është një kryeministër kukull aty në shtetin amë, në Shqipëri”, shtoi Hetemi.
Rama ka ironizuar jo pak herë me ngujimin e Hetemit brenda objektit të komunës. Kur fliste për të, i referohej me Oso Kuka, emrin e kapitenit të rojeve të kufirit osmano-malazez në shekullin XIX, i cili mbahet në mend kryesisht për historinë e tij të vetëflijimit. Në një luftim me ushtarë malazezë, Oso Kuka e kishte vrarë veten, duke u bërë më pas personazh edhe i shumë veprave letrare shqipe.
“Ç’do të thotë kjo që të mbajmë akoma disa kryetarë komunash të cilët janë zgjedhur me 1% të votave, që rrinë të mbyllur si Oso Kuka”, shprehej Rama për Euronews Albania.
Në një rast tjetër, ai përsëri thoshte se janë dy opsione, për ta bëjë zgjidhjen, ose për të luftuar “me të gjithë botën për Oson”.
“Duam ta arrijmë marrëveshjen dhe ta mbarojmë këtë fazë të historisë me atë që Albini vetë e quan njohje ‘de facto’, apo duam të luftojmë me të gjithë botën për Oson. Këtu ndahet kjo, nuk ka tjetër. O për Oso Kukën atje që të mos dorëzohet, duke ndenjur brenda – se u bë dy muaj atje që s’del dot as të marrë ajër në dritare, i vetvendosur, i vetburgosur, me Policinë që e ruan dhe për atë plesht të digjet i gjithë jorgani – ose ne të bëjmë gjërat që na takojnë dhe ta lartësojmëmë tutje kombin shqiptar”, shprehej Rama në një intervistë në Klan Kosova.
Hetemi tha se vetëm po e vuan “të keqen që e kanë shkaktuar qeveritë tjera”.
“Këtu është i burgosur, i ngujuar qysh thojke Edi Rama, shumë interesant…”, tha ai duke qeshur.
Por Hetemi e ka veçuar deklaratën e Ramës se “veriu është tokë e askujt”, qëndrim të cilin edhe pas reagimeve të ashpra që i ka marrë, Rama e ka mbrojtur edhe në Kuvendin e Shqipërisë.
“Pse nuk është tokë e askujt kur aty lulëzojnë grupe kriminale?! Kur nuk e di ç’do të ndodhë nesër?!”, tha Rama, duke përsëritur “domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i”.
Hetemi tha se situata “është e qetë”, dhe kërkoi që “institucionet të bisedojnë që KFOR-i të largohet prej oborrit të komunës”, pasi tha se ndihet i sigurt me praninë e policëve të Kosovës.