Ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar që të bëhen hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet në veri.
Giacobbe përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se pati një takim të mbarë me kryeministrin Kurti mbi rëndësinë dhe riangazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, raporton Demokracia.com.
“Takim i mbarë me Kryeministrin Alin Kurt, mbi rëndësinë dhe riangazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE për zgjidhjen e targave dhe çështje të tjera. Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar ambasadori Giacobbe.
Good meeting w/ PM @albinkurti on importance of reengaging in the EU-facilitated Dialogue to resolve license plates & other issues. Immediate steps are needed to de-escalate tensions. Actions can have unintended consequences adversely impacting everyday lives of citizens.
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) September 23, 2021
Ndërkohë, të enjten ka nisur dita e katërt e bllokimit të rrugëve kryesore në Jarinjë dhe Bërnjak, pas një nate tjetër të qetë që kaloi pa incidente, përcjell Demokracia.com.
Serbët lokalë kanë qëndruar gjatë gjithë natës në të dy pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës, pavarësisht shiut dhe temperaturave të ulëta.
Kolona është e gjatë rreth 3 kilometra e gjysmë, derisa sipas raportimeve Kosovo Online gjatë natës së mbrëmshme është shtuar numri i kamionëve dhe mjeteve të tjera të rënda me të cilat është bllokuar rruga.
Në Jarinjë dhe Bërnjak janë vendosur edhe forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, por që deri tani nuk ka pasur asnjë incident përpos provokimeve të herëpashershme me thirrje e këngë nacionaliste nga serbët lokalë që po protestojnë.
Qeveria e Kosovës mëngjesin e të hënës nisi zbatimin e reciprocitetit për targa me Serbinë duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.
Kjo e tensionoi shumë situatën në veri të vendit ku qytetarët serbë në shenjë proteste bllokuan rrugët në pikëkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë./Demokracia.com/