Deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në rastin e shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare “opozita zhduket”, i kanë reaguar partitë opozitare në Kosovë.
Ato kanë kërkuar dorëheqjen e Kurtit dhe shkuarjen në zgjedhje, shkruan Demokracia.com.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se e kundërta është e vërtetë, që “kurdo që të mbahen zgjedhjet, ai nuk do të ketë mundësi të krijojë një qeveri të dytë. Nuk do t’i ketë as numrat, as mandatin”.
“Mendoj që favori dhe shërbimi më i madh që do t’ia bëjë sot kryeministri Kurti është që të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Vetë fakti që atij në mendje sot i shkon opozita, kjo tregon se ai frikën e ka pikërisht nga kjo opozitë dhe një gjë e ka të sigurt, se kjo qeveri në mandatin e ardhshëm nuk do të ketë mundësi të krijojë një qeveri të dytë”, tha Tahiri.
Pas këtij deklarimi ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e cili Kurtin e ka quajtur “humorist”.
“Kryeministri Kurti ia filluar të bëhet humorist, ky asnjëherë s’ka pasur kujdes për opozitën, lërë për opozitën e partive të tjera, por as për njerëzit ndryshe në partinë e vet. Nuk kujdeset për njerëzit në parti që kanë mendime të ndryshme, e lërë për partitë e tjera. Se kush sa e ka fuqinë politike na e jep populli, le të del nëse ia mban në zgjedhje dhe e sheh çka ndodh me të. Ai e dinë qe e ka humbur fuqinë elektorale politike, për këtë është bërë humorist”, ka thënë Tahiri.
Kurti sot në një konferencë i është përgjigjur thirrjeve nga opozita për dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të reja.
Sipas tij, nëse shkohet në zgjedhje, atëherë zhduket opozita, duke aluduar kështu në fitore të thellë.
“Kam dëgjuar që opozita herë kërkon dorëheqjen e herë shkarkimin tim, e herë zgjedhje të reja. Zgjedhjet nuk i konvenojnë as qeverisë e as opozitës. Qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet, sepse zhduket opozita”, tha Kurti.
LEXO EDHE:
Zgjedhje? | Njeriu që rrezikon izolimin ndërkombëtar të Kosovës, paralajmëron zhdukjen e opozitës