Dje kemi raportuar për dorëheqjen, e pastaj rikthimin në detyrë të kundërligjshëm të dekanes së Fakultetit Juridik në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Të njëjtin veprim të kundërligjshëm, duket se e ka bërë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit “Kadri Zeka”, Isa Keka. Të gjitha këto veprime në këtë universitet, siç shihet kanë ndodhur me miratimin e rektorit të universitetit, Artan Dërmaku.
Isa Keka kishte dhënë dorëheqje më 20 janar të këtij viti nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Për këtë e kishte njoftuar zyrtarisht edhe rektorin e universitetit, Artan Dërmaku. Në bazë të Ligjit për Zyrtarë Publik, dorëheqja e Kekës do të krijonte pasojë juridike 30 ditë pas njoftimit për dorëheqje, kur Keka do të ishte dashur ta lironte pozitën.
Por, kjo nuk ka ndodhur, pasi që Isa Keka ishte bërë “pishman” për dorëheqjen dhe kishte kërkuar nga rektori Artan Dërmaku që të kthehej sërish në punë. Rikthimi në punë, sipas Kekës i ishte aprovuar nga rektori Dërmaku, në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publik.
Në fakt, sekretari Keka, në një përgjigje përmes telefonit për Gazetën Nacionale, kur është pyetur pse është duke ushtruar ende detyrën e tij, edhe pse afati ligjor pas dorëheqjes kishte kaluar, i njëjti ka bërë një interpretim të çuditshëm të dorëheqjes së tij dhe Ligjit për Zyrtarët Publik.
“Është fakt, ia kam dërgu një e-mail rektorit. Ndërkohë, pas 2-3 ditëve, e kam dërgu një e-mail, jam tërheq. Ndërkohë, e kam aprovimin e rektorit që jam tërhek, nëse keni e-mail ua dërgoj dëshmitë. Sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, dorëheqja 30 ditë nuk është efektive, pas 30 ditëve është efektive. Unë e kam dërgu te rektori dorëheqjen, të tregova. Unë jam tërheq ndërkohë, ashtu ka ardh (rektori), kemi bisedu normal, unë kam bisedu edhe e kam parë të paarsyeshme, vet e kam pa të arsyeshme që nuk ka pasur ndoshta arsye për me dhanë dorëheqje, edhe e kam bërë një kërkesë përsëri, e kam përsërit e-mailin edhe kam thanë (rektorit), ‘nëse e sheh të arsyeshme me fillu punën unë përsëri, unë mundem me vazhdu, pop res një konfirmim tuajin’. E kam konfirmimin e rektorit që ka thënë ‘mundesh me vazhdu pa problem’”, ka deklaruar Keka.
Keka gjithashtu ka deklaruar se në këtë rast nuk ka asgjë të keqe pse i ka rënë “pishman” për dorëheqjen dhe kjo i është miratuar nga rektori Dërmaku, ani pse e gjithë kjo bie në kundërshtim me atë çfarë parasheh Ligji për Zyrtarët Publik në rastin e dorëheqjes.
“I kam ra vet pishman, normal. I kam kërku (rektorit), ‘nëse e sheh të arsyeshme me u kthy, unë po du me u kthy përsëri se nuk po e shoh të nevojshme me dhanë dorëheqje’. Ai më ka thënë ‘e konfirmoj sekretar, vazhdojmë bashkëpunimin’, edhe krejt n’rregull është, çka ka t’keqe k’tu?”, ka deklaruar Keka.
Ajo çfarë e bën këtë rast edhe më skandaloz, është komunikimi zyrtar mes sekretarit Isa Keka dhe rektorit Artan Dërmaku, për dorëheqje e pastaj për “pishman”. E gjithë kjo, normalisht e miratuar nga rektori i universitetit.
Më poshtë mund të shihni fotot e dërguara nga sekretari Keka për Gazetën Nacionale, të cilat dëshmojnë njoftimin për dorëheqje e pastaj e-mailin përmes së cilit Keka e njofton Dërmakun për “tërheqje nga dorëheqja”, duke thënë se mendon që duhet reflektuar për interes të qëllimeve dhe synimeve të universitetit.
Në anën tjetër, rektori Artan Dërmaku, ia pranon gjithashtu “tërheqjen e dorëheqjes” sekretarit Keka, duke i thënë se “gjithçka është në rregull”.
“Besoj se së shpejti do të ulemi për të diskutuar çështjet me interes të përbashkët”, thuhet në përgjigjen e rektorit Dërmaku dërguar sekretarit Keka.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe tek rektori Dërmaku, për të marrë sqarime rreth vendimeve të tij për të lejuar sekretarin Isa Keka që të vazhdojë ushtrimin e detyrës së sekretarit, edhe pas dorëheqjes dhe në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publik, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Për sqarim, bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik të Republikës së Kosovës, dorëheqja nuk është akt i revokueshëm, rrjedhimisht i bie që kur një zyrtar publik ofron dorëheqje, ajo krijon pasoja juridike brenda 30 ditëve nga data e parashtrimit dhe mundësia e vetme është shkurtimi i kësaj periudhe dhe jo mundësi të tjera. Kështu të paktën ka sqaruar edhe njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj.
“Largimi i zyrtarit publik, si nga shërbimi civil ashtu edhe nga shërbimi publik, rregullohet me nenin 75 të Ligjit NR. 08/L-197 për Zyrtarët Publik. Sipas këtij Ligji, dorëheqja është një prej mënyra përmes të cilave zyrtari publik në mënyrë të njëanshme ndërprenë funksionin e tij nga pozita e zyrtarit publik. Për nga natyra e saj, dorëheqja është akt i njëanshëm dhe ky akt, nuk kërkon miratim nga ana e institucionit publik. Institucioni publik e shqyrton dhe aprovon dorëheqjen kryesisht për çështje administrative, por jo sipas vlerësimit meritor. Kjo për shkak se nuk mund të vlerësohet në meritat e tij një akt i vullnetshëm dhe i njëanshëm. Sikur të kishte mundësi të bënte vlerësim edhe në merita, atëherë i bie se do kishte mundësi edhe të refuzonte dorëheqjen, çfarë kuptohet se nuk është e mundur. Ligji për Zyrtarët Publik përcakton momentin kur krijohen pasojat juridike të dorëheqjes, e që është 30 ditë nga data e parashtrimit të dorëheqjes. Përtej kësaj, mundësia e vetme që jep neni 75 i Ligjit për Zyrtarët Publik është shkurtimi i kësaj periudhe kohore dhe jo mundësi të tjera. Për këto arsye, nisur nga fakti se dorëheqja është akt i njëanshëm, që në meritat e saj nuk kërkon vlerësim dhe miratim, si dhe dhënies së mundësisë shprehimore me ligj për dorëheqje, por jo dhe revokim të saj, i bie se ligjërisht, dorëheqja nuk është akt i revokueshëm. Kuptohet, është situatë tjetër nëse vlerësohet se akti i dorëheqjes është bërë nën rrethana të cilat paraqesin dyshime se ka ndërhyrje në vullnetin e zyrtarit publik për dorëheqje”, ka deklaruar Miftaraj për Gazetën Nacionale.
Kjo dëshmon se sekretari Isa Keka dhe rektori Artan Dërmaku, kanë bërë shkelje ligjore në këtë rast, duke vepruar në kundërshtim me atë çfarë parasheh Ligji për Zyrtarët Publik.