Lajme
I jepet lamtumira e fundit Piro Milkanit
Demokracia
18:19 | 25 Maj 2025

Share:

Me kolonën zanore të filmit të tij të fundit “Trishtim i Zonjës Shnajder” iu dha lamtumira kineastit të shquan Piro Milkani.

Miqtë e tij, kolegët, dashamirësit dhe ata që u rritën me shkollën e Piro Milkanit shprehën trishtimin për humbjen e tij, por edhe nderimin për gjithë kontributin në kinematografi, shkruan Tvklan.al, tranmseton Klankosova.tv.

“Është një pasuri jeta e tij, vepra e tij e cila do frymojë në breza. Piro me krijimtarinë e tij është përpjekur në një lloj fisnikërie ta zbusë dhe ta qytetërojë shoqërinë shqiptare”, tha Kujtim Çashku, kineast.

“Një figurë e shquar e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në thesarin e artit të kinematografisë shqiptare”, tha Bujar Kapexhiu, regjisor dhe karikaturist.

“Është një humbje shumë e madhe sepse regjisorë të tillë janë shumë të paktë”, tha Ilir Harxhi, regjisor.

“Ishte një nga regjisorët që sot vazhdon akoma të jetë më i mirë, në raport miqësie, qetësie dhe mjeshtërie”, tha Nik Xhelilaj, aktor.

I biri regjisori Eno Milkani tregon se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar kohët e fundit dhe një ishemi e dytë e rëndoi edhe më shumë.

“Që përpara 20 vjetësh është sëmurë dhe kishte një energji dhe kurajo të jashtëzakonshme, dëshirën për të jetuar”, tha ai.

Por edhe pse në këto rrethana, Piro Milkani kishte nisur një projekt të përbashkët me të birin.

“Piro e quan veten e tij me fat dhe mendonte që i kishte të realizuara të gjitha. Pengu që mund t’i ketë ngelur është që duhej të shkruante një skenar për gjyshen nga ana e mamasë. Kemi bërë të gjitha xhirimet dhe kishte mbetur vetëm skenari. Unë do ta çoj deri në fund”, tha ai.

Piro Milkani, ka lindur më 1932 në Korçë dhe ndoqi studimet në Akademinë e Arteve në Pragë, dhe me rikthimin e tij u bë një nga pionierët e kinematografisë shqiptare dhe bashkëthemelues i Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Ai ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe të vyer në kinematografinë shqiptare.

Mbi 30 filma artistikë dhe dokumentarë, duke përfshirë tituj të njohur si “Kur zbardhi një ditë”, “Zonja nga qyteti”, “Ballë për ballë”, “Ngadhënjim mbi vdekje” etj.

Përveç regjisurës, ai ka kontribuar edhe si skenarist, producent e drejtor fotografie.

Të ngjashme