Lajme
I hoqën certifikatën Klanit, por pushteti e kishte licencuar kompaninë shtetërore nga Serbia të operonte në Kosovë
Demokracia
23:06 | 28 Korrik 2023

Share:

Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë e drejtuar nga Rozeta Hajdari refuzoi ankesën e mediumit “Klan Kosova” për vendimin e pezullimit të certifikatës së biznesit. Për Qeverinë Kurti, kjo çështje ka përfunduar. Por, jo shumë kohë më parë, pikërisht ky pushtet e kishte licencuar një kompani shtetërore nga Serbia që të operonte në Kosovë. Çka kishte ndodhur?

Ishte viti i kaluar kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për sektorin e energjisë elektrike. Një kompani që do ta bënte faturimin e rrymës në komunat veriore, ishte nga Serbia.

Nacionale në qershor të vitit 2022, kishte raportuar se sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të kosovës, “JP Elektroprivreda Srbije Beograd” është pronare e kompanisë Elektrosever e cila do të faturonte rrymën në veri.

Dhe, në krejt atë situatë, aksionare kryesore e kësaj kompanie doli të ishte Republika e Serbisë. Sipas detajeve në faqen zyrtare të kompanisë, thuhej që nga viti 1999, nuk kishin pasur asnjë funksion në Kosovë.

“Themelues i Elektroprivreda Srbije është Republika e Serbisë, dhe të drejtat ushtrohen nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Organet e ndërmarrjes Publike të Industrisë së Energjisë Elektrike janë Bordi dhe Drejtori. Bordi mbikëqyrës dhe Drejtori emërohen nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Ndërmarrja ka shtatë anëtarë të zgjedhur nga Drejtori.” – bëhet e ditur në faqen e kompanisë.

Një vit më vonë

Një vit më vonë, siç po e paraqet Qeveria e Kosovës, adresa e një biznesi po bëhet arsye për ta mbyllur një prej televizioneve më të mëdha në Kosovë, “Klan Kosovën”.

Pavarësisht ankesës së mediumit, MINT e refuzoi të njëjtën dhe e bëri me dije se kjo çështje ka përfunduar për ta, duke ia lënë në dorë rastin institucioneve të drejtësisë.

“Mirëpo, Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?” – thuhej në komunikatën e ministrisë, të publikuar pasditen e së premtes.

Po ashtu, Klan Kosova bëri do të ankohet në gjykatën kompetente rreth rastit.

Krejt kjo shkaktoi reagime të shumta, gjë që duket e nxiti ministren Rozeta Hajdari të bëjë edhe një reagim. Sipas saj, një biznes vetëm pse merret me media, nuk duhet të amnistohet.

“Për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar.” – deklaroi ajo mes tjerash.

Një zhvillim i tillë, po konsiderohet si sulm serioz ndaj demokracisë së vendit, e madje, shtetet aleate të Kosovës vlerësuan që ky është vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo media është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike.” – u tha në një reagim të shteteve të QUINT-it dhe BE-së.

Të ngjashme