Lajme
I gëzohej fitores së Kurtit për “ndryshim e ligjshmëri”, u.d. sekretarja e Haxhi Zekës e mban jashtëligjshëm tash edhe pozitën e saj
Demokracia
09:02 | 01 Korrik 2022

Share:

Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” ka nëntë muaj që e ka emëruar Tirana Baftiu-Hasanin, ushtruese të detyrës së Sekretares së Përgjithshme të këtij universiteti në kundërshtim me Rregulloren për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta, e cila thotë se një pozitë e lartë drejtuese mund të mbahet me ushtrues detyre vetëm tre muaj.

Ajo është emëruar si u.d. e sekretarit më 4 tetor të vitit të kaluar, shkruan Demokracia.com.

Përveç që po e mban pozitën jashtëligjshëm, ajo edhe kur ishte zgjedhur kishte pasur parregullsi, ngase propozimi i saj ishte bërë nga kryesuesja e Këshillit Drejtues, Majlinda Belegu, jo nga rektori siç përcaktohet me Statutin e Universitetit, gjë që vërtetohet edhe nga procesverbali i mbledhjes së 4 tetorit, të cilin Demokracia.com e ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues ku ishte zgjedhur Baftiu-Hasani kishin munguar anëtarët e tij nga Senati i Universitetit.

“Vazhdojmë me pikën tjetër të rendit të ditës respektivisht pozitën e u.d. Sekretarit. Ju e dini se për shkak të mungesës së sekretarit të përgjithshëm të gjitha pagesat mbesin pa u nënshkruar, për arsye se Sekretari i Përgjithshëm i UHZ-së i ka nënshkruar dhe siç dihet tani ai më nuk është. Në bazë të Statutit të UH-së propozimin për sekretare të përgjithshëm e bënë rektori, por ne momentalisht nuk kemi rektor, pra jemi në procedurë të konkursit për të vazhduar përpara, duhet të procedohen pagat dhe nuk kemi të drejtë faktikisht me ju ndal pagat njerëzve qoftë edhe administratës po as profesorëve edhe pse nuk ka filluar procesi i ligjëratave që fillon më 15 tetor, por megjithatë ne e kemi detyrë zyrtare të cilën duhet ta ushtrojmë dhe në të mirë të institucionit duhet të vazhdojmë. Nëse nuk do të kemi u.d. sekretar atëherë të gjitha punët do të stagnojnë sidomos me paga. Atëherë për shkak të procedurave që duhet të merren, unë do të propozoja ushtruesen e detyrës së sekretarit të përgjithshëm, në qoftë se edhe ju eventualisht e keni ndonjë propozim unë jam e pajtimit që ta propozoni për shkak që proceset të shkojnë përpara por jo si sekretar i përgjithshëm por si ushtrues i detyrës së sekretarit deri në momentin e përzgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm me hapjen e konkursit publik deri në harxhimin ose kalimin e procedurave për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm. Atëherë propozimi im është që Tirana me qenë u.d. e sekretarit të përgjithshëm. Nëse ju pajtoheni apo keni ndonjë propozim tjetër ju kisha lutur që me propozu. Propozimi për Tirana Baftiu Hasani u.d. Sekretar  i Përgjithshëm i Universitetit u miratua unanimisht nga të gjithë anëtarët prezentë me katër vota pro) të Këshillit Drejtues”, rezulton të ketë thënë Belegu në atë mbledhje, përcjell Demokracia.com.

 

Rregullorja për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta, në nenin 17-të thotë se përveç në raste të mungesës së mbajtësit të postit për shkaqe shëndetësore, asnjë pozitë e lartë drejtuese nuk duhet të plotësohet me ushtrues detyre për më shumë se tre (3) muaj.

Por, në një përgjigje me shkrim për Demokracia.com, ku Tirana Baftiu-Hasani flet për vetveten në veten e tretë.

“Sa i përket pozitës znj. Baftiu Hasani është Ushtruese e Detyrës së Sekretares së Përgjithshme të UHZ-së. Lidhur me pyetje e dytë dhe të tretë sqarimet i gjeni në procesverbalin e mbledhjes së mbajtur nga Këshilli Drejtues me dt. 04.10.2021, (të bashkangjitur e gjeni procesverbalin e mbledhjes së dt.04.10.2021). Ligji nr.06/L -114 për Zyrtar Publik  i cili ka hyr në fuqi me dt.11 Mars 2019, akte  administrative të nxjerra sipas këtij Ligji, si dhe sygjerimeve të marra nga Ministria e Administratës Publike nuk e parasheh limitin e kohës së ushtruesit të detyrës. Andaj, dispozita e nenit 17 të Rregullores nr. 17/2018 nuk vlejnë për pozitën e lartcekur. Zonja Baftiu Hasani sipas vendimit nr.2595 nga dt.05.10.2021, e mbanë pozitën si ushtruese e detyrës së sekretarit”, thuhet në përgjigjen e saj për Demokracia.com.

Për më tepër, Tirana Baftiu-Hasani del të jetë edhe mbështetëse e kryeministrit Albin Kurti dhe e presidentes Vjosa Osmani.

Madje, simpatinë për ta ajo nuk ngurron ta shpreh edhe në rrjetet sociale, shkruan Demokracia.com.

 

Ky është procesverbali i mbledhjes së Këshillit Drejtues:

 

Të ngjashme