Lajme
I emëruari i pushtetit të ri në Postë, Florent Tahiraj, arrestohet për keqpërdorim të detyrës në “Trafikun Urban”
Demokracia
20:36 | 14 Mars 2022

Share:

Katër persona të dyshuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe përfshirje në “Konflikt interesi“ janë arrestuar nga krimet ekonomike të Policisë së Kosovës.

Në mesin e të arrestuarve, Demokracia.com mëson se është edhe ish-kryeshefi i Trafikut Urban, Lulzim Rexhepaj dhe ish-sekretari Florent Tahiraj. Ky i fundit përkrahës i Listës Guxo dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Florent Tahiraj para dy muajve ishte emëruar sekretar në Postën e Kosovës nga pushteti aktual.

Demokracia.com kishte raportuar se Tahiraj, ish-anëtari i LDK-së që i doli në përkrahje Vjosa Osmanit, kishte filluar punën e tij të re nga 1 dhjetori i vitit 2021.

Vendimi për këtë ishte marrë nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës, i cili po ashtu është emëruar nga Qeveria Kurti II dhe përbëhet nga persona të afërt me pushtetin aktual.

Tahiraj bashkë më ish-zyrtarë të tjerë po dyshohen se kanë kanë kryer veprat penale:

• “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, lidhur me nenin 31,

• “Konflikti i interesit” nga neni 423, lidhur me nenin 31

• “Ndihma” nga neni 33, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë (Departamenti për Krime të Rënda), sot me datë 14.03.2022 pas shumë veprimeve hetimore/operative, përmes hetuesve kompetent kanë arrit të sigurojnë informata në lidhje me aktivitetin kriminal, ku dyshohet se personat e dyshuar me iniciale (deri sa ishin në pozita, tani nuk i ushtrojnë ato pozita); R. B. (Kryesues i Bordit të Drejtorëve të NPL “Trafiku Urban”), L. R. (Kryeshef i NPL “Trafiku Urban”), F. T. (Sekretar në NPL “Trafiku Urban”) dhe V. K. (Menaxher në një auto-sallon), kanë arritur që përmes marrëveshjeve dhe koordinimeve në mes vete, veturën që ka qenë në pronësi të Kryesuesit, ta shesin fillimisht në një auto-sallon dhe pastaj përmes procedurave tenderuese ta blejnë të njëjtin për nevojat e NPL “Trafikut Urban” në vlerë prej disa mijëra euro me shtrenjtë se vlera reale (duke i shkaktuar dëme buxhetit të Ndërmarrjes dhe njëkohësisht përfitime për vete)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tahiraj për vite radhazi ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky i fundit ishte edhe drejtor i Forumit Rinor të kësaj partie në Gjakovë. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

FOTO| Posta e Kosovës po “uzurpohet”, personi i afërt me pushtetin e ri emërohet sekretar

Arrestohen katër persona, prej tyre tre ish-zyrtarë të lartë të “Trafikut Urban” për keqpërdorim të detyrës

Të ngjashme