Lajme
I dyshuari për spiunazh informonte BIA-n për pjesëmarrësit në Siri e politikanë kosovarë – paguhej deri në 700 euro
Demokracia
11:13 | 08 Maj 2025

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën më 7 prill ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Hysri Selimit, i dyshuar për spiunazh.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Hysri Selimi dyshohet se nga data e pacaktuar e deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Intelegjencës dhe Sigurisë së Serbisë (që njihet si BIA), ka ndihmuar punën e këtij shërbimi në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri, si dhe për zyrtarë të lartë të partive politike, dhe informacione rreth institucioneve të sigurisë në Kosovë.

Si shpërblim për këtë shërbim, Prokuroria thotë se zyrtarët e BIA-s në takimet në Serbi, e kanë paguar Selimin deri në 700 euro, si dhe i kanë dhënë telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.

Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.

Prandaj, për këto veprime, Hysri Selimi dyshohet për veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hysri Selimi, është një emër i njohur për autoritetet kosovare për përfshirjen e tij të mëhershme në aktivitete terroriste, kishte raportuar Paparaci.

Më datë 23.11.2015 me përgatitje paraprake së bashku me familjen kishte lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me destinacion Sirinë, për t’iu bashkëngjitur ISIS-it.

Sipas aktakuzës së ngritur në atë kohë nga Prokuroria, Selimi ishte i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur të ISIS-it, për çka edhe ishte paguar rregullisht nga kjo organizatë, me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.

Ai u riatdhesua në Kosovë më 28 maj 2022, ku më pas u përball me proces gjyqësor për çka edhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 8 muaj, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01.08.2018.

“I akuzuari me datë 23.11.2015, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte  lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë dhe kishte udhëtuar për në qytetin e Stambollit të Republikës së Turqisë dhe përmes lidhjeve të caktuara kishte depërtuar në Siri, me qëllim që ti bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, e cila në këto vende ka qenë duke u luftuar, është angazhuar si pjesëtarë i “ISIS-it”, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e “ISIS-it”, është financuar nga “ISIS” me shumën e të hollave prej nga 100 Dollar Amerikan në muaj, duke bashkëpunuar edhe me epror dhe luftëtarë të “ISIS-it”, si Lavdrim Muhaxheri etj, e që më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku edhe me datë 28.05.2022 është riatdhesuar në Republikën e Kosovës”, njoftonte Gjykata Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 2022.

Të ngjashme