Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të mos tregohet konsistent në qëndrimet e tij publike.
Pothuajse është bërë e përditshme që qytetarët të dëgjojnë nga kryeministri Kurti deklarata të ndryshme në kundërthënie të plotë njëra me tjetrën.
E tillë është edhe një deklaratë e tij nga konferenca e djeshme, ku nga Qeveria e Kosovës lëshoi një lum me akuza në drejtim të ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë – Serbi, emisarit Miroslav Lajçak, pas dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Demokracia.com.
Nga Kryeministria, Kurti ka thënë se i di me emra dhe mbiemra të gjithë ata që nxitën dhe shkaktuan dhunë në veriun e Kosovës gjatë muajit maj dhe qershor, në kohën kur kryetarët shqiptarë të zgjedhur më 23 prill u vendosën në zyret e tyre në objektet komunale.
“Ne e kemi thënë që në krye të herës, se ne i dijmë emrat dhe mbiemrat e të gjithë atyre që e nxitën dhe e shkaktuan dhunën në veri. Dhuna nuk ishte anonime dhe personale, paçka se kishte njerëz me maska dhe të cilët fshiheshin përfundi kapelave të tyre”, bëri të ditur Kurti.
Kjo deklaratë e Kurtit nuk do të përbënte kurrfarë problemi sikur situata të mos ishte krejtësisht ndryshe.
Edhe pse kryeministri Kurti i njeh me emër dhe mbiemër shkaktarët e trazirave në veri gjatë majit dhe qershorit, kjo nuk e ka penguar partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, që udhëheq aktualisht me komunën e Leposaviqit, ta shpërblejë me post ekzekutiv në këtë komunë, njërin nga pjesëtarët e bandave kriminale serbe që kryenin akte dhune në veriun e Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Për më tepër, më 2 qershor 2023, gjatë publikimit të emrave të personave dhe organizatave kriminale që morën pjesë në protestat e dhunshme në veri, kryeministri Kurti kishte përmendur emrin e Nikolla Radomiroviqit, si pjesë e tyre.
“Më 29 maj ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq, sepse ka qenë duke iniciuar me telefon. Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Agjiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna brigada”. Millan Zhivkoviq po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë. Danillo Krivokapiq, Jovica llazoviq, Nikola Radomiroviq. vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedelkoviq. Kjo organizatë kriminale në rrjete sociale ka postuar lajm që pjesëtarë të grupit mercenar rus, Wagner, kanë arritur në Kosovë”, deklaronte Kurti.
Kjo nuk e ka penguar Lëvizjen Vetëvendosje të Kurtit që Nikolla Radomiroviqin ta emërojë në postin e drejtorit në kabinetin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit, edhe pas përmendjes së emrit të tij si pjesë e organizatave kriminale. /Demokracia.com/
Lexo më gjerësisht: