Pak ditë pasi ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deklaroi se Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, “ka dështuar në dialog”, diplomati sllovak do qëndrojë për vizitë këtë të martë në Kosovë.
Megjithatë, Lajçak nuk pritet të takohet me Gërvallën në Prishtinë, por me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftim për media të Qeverisë.
Lajçak vjen në Kosovë pas vizitës njëditore që e zhvilloi në Serbi, ku u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryenegociatorin Petar Petkoviç, me të cilët tha se ka diskutuar për “perspektivën strategjike” dhe “hapat e ardhshëm” në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.
“Me të mbërritur në Beograd sot në mëngjes, u takova me Vuçiçin. Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi gjendjen e lojës në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, shkroi diplomati sllovak në platformën X të hënën.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë njoftoi nëpërmjet një postimi në Facebook se nga Lajçaku kërkoi mbështetje për ndaljen e “provokimeve” të Kosovës, ndërsa gjithashtu insistoi në “domosdoshmërinë” e themelimit të shpejtë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
“Pata një takim konstruktiv dhe shumë korrekt. Unë theksova domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e BE-së për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, deklaroi presidenti serb pas takimit me Laçakun.
Ai pretendoi ndër të tjera se Serbia është e gatshme për t’i përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, mirëpo “në përputhje me marrëveshjet juridike ndërkombëtare” dhe “duke respektuar Kushtetutën e Serbisë dhe Kartën e OKB-së”, ndonëse Serbia është shprehur edhe me shkrim kundër zbatimit.
Lajçaku vjen në Beograd dhe Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për të përcaktuar shpejtësinë e dakordimit për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç u takuan për herë të fundit në shtatorin e vitit të kaluar në Bruksel, ndërsa në tetor u takuan veç e veç me krerët e shteteve kryesore evropiane pas “stuhisë diplomatike” të emisarëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në përpjekje për t’i shtyrë Kosovën dhe Serbinë drejt zbatimit të marrëveshjeve dhe zbutjen e tensioneve.