Lajme
I dërguari amerikan i qartë para takimit Kurti-Vuçiq, flet për nevojën e marrëveshjes të hënën
Demokracia
22:21 | 25 Shkurt 2023

Share:

Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare, në një intervistë për agjencinë malazeze MinaNews, ka folur për planin franko-gjerman dhe ndikimin e tij në stabilitetin rajonal.

Emisari i ShBA-së ka thënë se prioriteti kryesor i rajonit dhe i Evropës mbetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes negociatave të ndërmjetësuara nga BE-ja.

Tutje, ai ka thënë se një normalizim mes të dyja vendeve do të hapte dyert për integrimin politik dhe ekonomik të Serbisë dhe Kosovës në Evropë dhe do të kontribuonte në një stabilitet dhe prosperitet më të madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ai ka paralajmëruar për nevojën e arritjes së një marrëveshje sa më të shpejtë në mënyrë që të minohen ndikimi rus.

“Pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit në Ukrainë dhe ndikime të tjera malinje që synojnë të mbjellin ndarje”, ka thënë Escobar.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aktivizuar tash kur kanë mbetur edhe pak orë deri në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit, president i Serbisë.

Kryeministri Kurti, diskutoi të premten për dialogun me Serbinë që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian me Derek Chollet, këshilltar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Përmes një cicërimë në Twiter, Chollet theksoi se me Kurtin diskutuan rreth Asociacionit.

“Shpreha qëndrimin se është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar gjatë procesit të dialogut”, shkroi Chollet në Twitter.

Në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, Departamenti i Shtetit ka theksuar se nga Kurti e Vuçiqi presin të jenë “konstruktivë”.

“Ne presim që të dy liderët t’i qasen takimeve në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të”, deklaroi ai.

Në përgjigjen e tyre, DASh-i vlerësoi se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – theksohet në përgjigjen e DASH-it.

LEXONI EDHE:

Vuçiqit i shkruajnë Macroni, Scholzi e Meloni në prag të takimit të së hënës

 

Të ngjashme