Atdhetar Rexhepi, i cili ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 2000 euro gjobë në rastin e njohur si ‘Fazani’, është kapur mbrëmë me armë nga Policia e Kosovës.
Demokracia.com ka mësuar se mbrëmë rreth orës 23:16, Atdhetar Rexhepi derisa ishte duke e vozitur një Audi A8, ngjyrë hiri, është ndaluar nga policia dhe gjatë kontrollit atij i është gjetur dhe konfiskuar një revole e tipit Browning Patent, me numër serik 2386, një karikator dhe 4 fishek të kalibrit 7.65.
Rexhepi ishte shoqëruar në stacionin policor dhe ishte intervistuar, ndërkaq prokurorja e rastit kishte udhëzuar që rasti të iniciohet në procedurë të rregullt të hetimit.
Ndryshe, Atdhetar Rexhepi bashkë me babanë e tij Hashim Rexhepi, drejtor sh.p.k. “Fazani”, kompani e licencuar për poligonin e qitjes me armë zjarri në Komoran dhe me Qëndrim Veselaj akuzoheshin se gjatë periudhës 2016/17 kishin falsifikuar dokumente për armëmbajtje pa leje kinse të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas aktakuzës, Atdhetar Rexhepi në kompensim të shumave deri në 5 mijë euro, i kishte pajisur katër persona me leje të falsifikuara të armëve.
Për këtë rast, Atdhetar Rexhepi ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 2000 euro gjobë.
Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte gjetur dhe shpallur fajtor Atdhetar Rexhepin, duke i shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentit”, dënim me burgim prej 1 vit e 6 muaj dhe 1000 euro gjobë për veprën penale “Mashtrim”, ndërkaq me 1000 euro gjobë ishte dënuar për armëmbajtje pa leje.
Trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve Shpresa Hasaj Hyseni, Kujtim Krasniqi dhe Avni Syla i kishin shqiptuar të njëjtit dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjet e 6 muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 2000 euro.
Të akuzuarin Atdhetar Rexhepi, gjykata po ashtu e kishte obliguar atë në kompensimin e dëmit të shkaktuar palëve në shuma të cekura sipas dispozitivit të aktakuzës.
Ndërkaq, ndaj të akuzuarit tjetër Hashim Rexhepi gjykata kishte marrë aktgjykim lirues në mungesë të provave. Në këtë çështje penale, sipas aktakuzës për të akuzuarin tjetër Qëndrim Veselaj ishte pushuar procedura penale për shkak të arritjes së parashkrimit absolut të ndjekjes penale. /Demokracia.com/