Lajme
I bie pishman Vjosa Osmani, tash kërkon “rreth e rrotull” llogaridhënie nga ambasadori Martin Berishaj përmes MPJD-së
Demokracia
18:06 | 22 Prill 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani, përkundër që vetë e ka emëruar ambasador në Kroaci, ajo ka kërkuar nga Ministria e Jashtme që ambasadorit Martin Berishaj t’i kërkohet një raport me shkrim lidhur me raportimin në mediat sllovene, që e implikon atë në një skandal financiar.

Presidenca e Kosovës thotë se sapo të sqarohet situata, Osmani dhe MPJD do ta bëjnë vlerësimin sa i përket pozicionit të ambasadorit, raporton Demokracia.com.

“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, thuhet në njoftim.

Presidenca, po ashtu, thotë se institucionet e Kosovës asnjëherë s’kanë marrë informatë nga institucionet e Sllovenisë për involvimin e ambasadorit Berishaj në ndonjë vepër penale.

“Është me rëndësi të theksohet se institucionet e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk kanë marrë asnjë informatë nga institucionet e Sllovenisë apo të ndonjë shteti tjetër për involvimin e z. Berishaj në ndonjë vepër penale. Në fakt, z. Berishaj ka dorëzuar dokumentacion nga institucionet e Sllovenisë se nuk ka evidencë penale”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com/

Të ngjashme