Lajme
I arrestuari është vëllai i drejtorit të Përparim Ramës, ka lidhje edhe me pushtetarë të tjerë
Demokracia
17:34 | 19 Mars 2022

Share:

Menaxheri i kontratave në kompaninë e derivateve “Hib Petrol”, Fatbardh Xhaferi, është arrestuar mbrëmjen e së premtes nën dyshimet për keqpërdorime me dokumente për t’u liruar nga taksat.

Mbi 600 mijë euro dëme i kanë shkaktuar shtetit gjatë tri viteve, “Hib Petrol” dhe dy kompani të tjera, ka konfirmuar Dogana e Kosovës pas aksionit të djeshëm, raporton Demokracia.com.

Në mesin e të arrestuarve në lidhje me rastin është edhe Fatbardh Xhaferi. Ky i fundit është menaxher i kontratave në “Hib Petrol” dhe dyshohet për “falsifikim të dokumenteve me qëllim të lirimit nga taksat”.

I njëjti, siç duket është i afërt edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Bashkëshortja e tij, Pranvera Xhaferi, ka publikuar një fotografi në Facebook më 9 janar gjatë kohës kur presidentja ishte për pushime në Brezovicë.

Ndërkohë, sot në media u raportua se Fatbardh Xhaferi ka lidhje edhe me një politikan tjetër në Kosovë. Bëhet fjalë për kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.

Fatbardhi është vëllai i Krenar Xhaferit, drejtorit të Investimeve Kapitale në komunën e udhëhequr nga Përparim Rama.

Lidhur me keqpërdorimet e “Hib Petrol”, dyshohet se nën dijeninë e Xhaferi, kjo kompani ka nxjerrë në shitje për qytetarët derivatet e naftës të parapara për ambasadat në Kosovë.

Derivatet e naftës të parapara për nevojat e ambasadave janë të liruara nga akciza./Demokracia.com/

Të ngjashme