Lajme
I akuzuari për ryshfet senatori amerikan Menedez këtë vit ishte takuar me kryeministrin Kurti, çka kishin biseduar?
Demokracia
14:06 | 23 Shtator 2023

Share:

Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në kongresin amerikan, Bob Menedez ka dhënë dorëheqje përkohësisht nga pozita që mbante. Krejt kjo erdhi pas akuzave me të cilat ngarkohet ai dhe bashkëshortja e tij, Nadine Arslanian.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare Menedez  dhe bashkëshortja akuzohen për marrje ryshfeti – para, shufra ari dhe vetura luksoze – në një sërë praktikash korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, të cilin ai e drejton, në dobi të qeverisë autoritare të Egjiptit.

Pas një kontrolli në shtëpinë e çiftit të akuzuar janë gjetur 100 mijë dollarë në shufra ari dhe 480 mijë dollarë para të gatshme, thanë prokurorët.

Çka kishin diskutuar kryeministri Kurti dhe Bob Menedez këtë vit?

Me 18 shkurt të vitit 2023 kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte takuar me senatorin amerikan Bob Menedez në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, shkruan Periskopi.

Siç thuhej në komunikatën e zyrës së kryeministrit, Kurti dhe Menedez kishin diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij.

“Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin për rezultatet e  deritanishme të qeverisë, me theks te sundimi i ligjit. Po ashtu e falënderoi senatorin Menendez për mbështetjen aktive të tij ndaj Kosovës në Senatin amerikan.Folën edhe për procesin e dialogut, raportin me Serbinë dhe propozimin evropian, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Menendez për qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konstruktivitetin e treguar përgjatë tërë procesit”, thuhej në komunikatën e zyrës së Kryeministrit.

Të ngjashme