Lajme
I akuzuari për falsifikim fiton tender të majmë nga shteti në vlerë 3.3 milionë euro
Demokracia
22:33 | 01 Korrik 2024

Share:

Ligji i Prokurimit Publik po ua lejon të fitojnë tenderë edhe personave që po gjykohen për dyshime për falsifikim të dokumenteve në pjesëmarrje të tenderëve publikë, shkruan Demokracia.com.

Më 6 qershor, Bledar Kusari është ulur në bankën e akuzës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, si i dyshuar për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” dhe “Falsifikim të dokumentit”. Vetëm një javë më pas, kompania e tij “D & T Group” SH.P.K. që është në konzercium me “Kosova Motors Group” shpk janë rekomanduar për një tender në vlerë prej 3,349,978.70 eurove nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave. Bëhet fjalë për tenderin “Furnizim me Automjete për Zjarrfikje dhe Shpëtim”.

 

Ky institucion ka paraparë që për 36 muaj, kompanitë të bëjnë furnizimin me vetëm 5 automjete për zjarrfikje dhe shpëtim. Bëhet fjalë për: Automjet Kamion Sulmues, 2 copë, Automjet Kamion Furnizues, 2 copë. Automjet Kamion Autoshkallë 32m, 1 copë.

Ndonëse kompanitë janë rekomanduar për kontratë qysh më 12 qershor, Agjencia Emergjencave e ka lënë një afat kohor prej një muaji për të nënshkruar kontratën, më datën 17 korrik. Ligji i Prokurimit Publik parasheh vetëm 5 ditë afat para rekomandimit për kontratë dhe më pastaj mund të nënshkruhet ajo, nëse nuk ka ankesa. Në këtë tender nuk ka ankesa, pasi ofertën e kanë dorëzuar vetëm kompanitë e rekomanduara për kontratë. Të interesuara kanë qenë edhe disa të tjera, të cilat kanë kërkuar sqarime shtesë në kohën e njoftimit për kontratë, madje janë ankuar edhe për vendosjen e kritereve, që sipas tyre kanë qenë të kundërligjshme, por Autoriteti Kontraktues ua ka hedhur poshtë pretendimet. Më pas, të njëjtat nuk kanë dorëzuar ofertë.

Kompania D&T që si lider i grupit është rekomanduar për kontratë ka histori të pasur të dyshimeve për falsifikim. Bledar Kusari, drejtori i kësaj kompanie është i akuzuar për mashtrim në prokurim publik e falsifikim. Ministria e Shëndetësisë para disa muajve ka bërë kërkesë që të futet në listë të zezë për shkak se në konsorcium me një kompani tjetër kanë konstatuar se ka falsifikuar në tenderin për blerjen e autoambulancave.

Po ashtu, kërkesë për tu futur në ‘listën e zezë” kjo kompani kishte bërë edhe komuna e Fushë Kosovës, por ajo i ishte refuzuar nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Dy herë kërkesë për t’u futur në ‘listën e zezë’ ka bërë edhe Komuna e Gjakovës prej nga vjen edhe pronari i kompanisë, por edhe kësaj OSHP-ja ia kishte hedhur poshtë kërkesat.

Dy vite më parë ishte liruar nga një aktakuzë për shkak të parashkrimit dhe vdekjes juridike të një rasti.

Në tetor të 2023, ndaj të njëjtit ka filluar një proces ligjor. Ai akuzohet për falsifikim e mashtrim në prokurim publik në lidhje me kompaninë ‘’D&T”, shkruan Demokracia.com.

Për këtë, në muajin e kaluar është mbajtur seanca e rregullt gjyqësore.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 gusht 2023, të pandehurit Pjeter Qerimi dhe Bledar Kusari gjatë muajit nëntor të vitit 2019 kanë shkelur nenin 65, 69 dhe nenin 71, paragrafi 3 të Ligjit për Prokurimin Publik, duke paraqitur dokumente të rreme, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit të autoritetit kontraktues.

Në aktakuzë thuhet se Pjetër Qerimi në cilësinë e pronarit të biznesit N.T.SH. “Viktory Com” me seli në Bec, Komuna e Gjakovës, si grup i operatorëve ekonomikë në konsorcium me kompaninë “Murseli” SH.P.K, me seli në Doganaj, Kaçanik, ka ofertuar në mënyrë të kundërligjshme në tenderin me numër të prokurimit “Ri-shpallje Mirëmbajtja e auto rrugëve pjesa e parë, mirëmbajtja dimërore e rrugëve urbane”, të datës 7 nëntor 2019.

Aktakuza thotë se janë prezentuar në aktivitetin e prokurimit kontratat e punës së 4 janarit 2017, në çmimin total të punëve 150 mijë euro, të datës 12 janar 2017 me çmim total të punëve 30 mijë euro, si dhe referencat e datave 15 shtator 2019 në vlerë prej 150 mijë euro, të datës 10 gusht 2019 në vlerë prej 30 mijë euro dhe e datës 9 shtator 2019 në vlerë prej 50 mijë euro, të cilat kontrata pune dhe referenca kanë qenë fiktive.

Ndërsa, i akuzuari Bledar Kusari, thuhet se në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar të biznesit “D&T Group” SHPK me seli në Gjakovë, si grup i operatorëve ekonomikë në konsorcium “D&T Group” SH.P.K dhe “Florida” SH.P.K & Horn & Co.Kosova” SHPK, ka ofertuar në mënyrë të kundërligjshme në tenderin “Ri-shpallje Mirëmbajtja e autorrugëve pjesa e parë, mirëmbajtja dimërore e rrugëve urbane” e 7 nëntorit 2019, duke prezantuar në aktivitetin e prokurimit referencën e 28 dhjetorit 2017 në vlerë prej 205 mijë euro, të cilën referencë fiktive e ka përpiluar vetë në emër të biznesit “Florida” SH.P.K me seli në Bajram Curr, për biznesin “D&T Group”.

Me këto, Qerimi dhe Kusari po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” nga neni 415, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2017, Kusari përpilon dokumentin e falsifikuar, referencën e 28 dhjetorit 2017, në emër të biznesit “Florida” SH.P.K, me qëllim të kompletimit të dokumentacionit për tenderim, të cilën e prezanton në aktivitetin e prokurimit, të 7 nëntorit 2019, e që pas verifikimit nga Administrata Tatimore e Kosovës, rezulton se është fiktive.

Për këtë veprim, Kusari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit” nga neni 390, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Nëse vërtetohet vepra që rëndon mbi Kusarin nga gjykata, atëherë bazuar në Kodin Penal të Kosovës, ai mund të dënohet me burgim dhe sipas Ligjit të Prokurimit Publik, do t’i ndalohet pjesmarrja në prokurimin publik për 10 vite. Shoqëria civile që merret me monitorimin e Prokurimit Publik në vazhdimësi ka kërkuar që Ligji i Prokurimit të revidohet dhe të mos u lejohet garim personave që janë të përfshirë në proceset gjyqësore deri sa t’i zgjidhin rastet. /Demokracia.com/

Të ngjashme