Ka dështuar për herë të pestë gjykimi ndaj dy të akuzuarve shkaku se të premten Hilmi Dudi nuk e ka pranuar avokatin zëvendësues Muhamet Mehmeti.
Në këtë rast, Remzi Jahiri po akuzohet për fajde ndërsa Hilmi Dudi për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.
“Nuk du me mbrojt ky për të vetmen arsye se nuk kena bo kurrfarë konsulte me to… nuk bohet ajo konsultë për 5 minuta, 10 minuta, unë du me pas avokatin tem qe oshtë i njoftum me landen prej n’fillim”, tha i akuzuari Dudi
Gjykatësja Suzana Çerkini tha se për kundër faktit se avokati Mehmeti ishte i gatshëm dhe i autorizuar nga avokati Ramiz Krasniqi që të mbronte të akuzuarin Dudi por këtij të fundit i mungonte vullneti që të mbrohej nga i njëjti, seanca e sotme u shty e radhës pritet të mbahet më 31 tetor 2023.
Avokati Mehmeti tha se nuk dihet komod që ta mbrojë Dudin, i cili nuk ka dhënë pëlqim për mbrojtjen e tij.
Paraprakisht në këtë seancë gjykatësja Çerkini konstatoi se mbrojtësi i të akuzuarit Dudi avokati Ramiz Krasniqi kishte autorizuar avokatin Mehmeti që ta mbronte të njëjtin.
I akuzuari Dudi edhe paraprakisht tha se para seancës kishte tentuar të kontaktonte avokatin Ramiz Krasniqi por i njëjti nuk ishte përgjigjur duke shtuar se avokati Mehmeti i cili ishte autorizuar për zëvendësim nuk mund ta mbronte pasi që nuk dinte asgjë për lëndën.
I njëjti tha se një ndër arsyet për mospranimin e avokatit ishte që dëshmitarëve paraprak i ishte bërë presion dhe avokati Mehmeti nuk i dinte deklaratat që ishin dhënë më herët në këtë çështje.
“Edhe një arsye tjetër osht nuk po muj zonja gjyqtare se unë e kom pa paraprakisht kur e keni marrë në pyetje dëshmitarin e kalum çfarë presioni ju ka bo prej ktyhit, dëshmitarit .. i keni bo presion krejt zonja gjyqtare”, tha i akuzuari Dudi.
Ndërsa anëtari trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj tha se nuk i kishin bërë presion dëshmitarit por e kishin pyetur pse kishte deklaruar ndryshe e më vonë e kishte ndryshuar deklaratën.
I akuzuari Dudi po ashtu shtoi se do të bisedojë me avokatin Ramiz Krasniqi lidhur me këtë çështje që ta dinte nëse i njëjti do ta përfaqësojë si duhet ose do të ia anulojë autorizimin dhe do të gjejë një avokat tjetër.
Gjykatësja Çerkini e njoftoi të akuzuarin Dudi që avokati i cili autorizohej e kishte për detyrë të lexonte lëndën dhe të familjarizohet me çështjen për të cilën do të ofronte mbrojtjen.
Ndërsa edhe mbrojtësi i të akuzuarit Jahiri, avokati Fanol Krasniqi tha se avokati Ramiz Krasniqi nuk ishte mirë me shëndet dhe prandaj nuk prezantonte në seancën e sotme, po ashtu i njëjti shtoi se kishte vërejtje për monitoruesen e “Betimi për Drejtësi”.
“Përkundër faktit që ja tërhjekt vërejtjen që mos m’i identifiku të akuzimit prapë e njëjta vazhdon me identifikim, me fotografim dhe me video-incizim në qoftë se nuk respektohen gjykata prej anës tyne nuk e di se.. shumë mirë ju e udhezut dje dhe e sugjerut mos e qitni personalitetin e të akuzumve”, tha avokati Fanol Krasniqi.
Gjykatësja Çerkini tha se për media kishte thënë që do të diskutonin në seancën e radhës pasi seanca e 12 tetorit 2023 nuk kishte kushte, duke shtuar që kishte thënë që vetëm emrave të dëshmitarëve të i referohen me iniciale.
Gjykatësja Çerkini e obligoi avokatin Fanol Krasniqi që deri në fund të ditës gjykatës të i dorëzojë raportin mjekësor për avokatin Ramiz Krasniqin që në atë mënyrë të arsyetohet mungesa e tij.
Në këtë seancë ishte i pranishëm dëshmitari Drilon Maloku, por në të kundërt munguan dëshmitarët Valon Krasniqi dhe Liridon Berisha për të cilët gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim edhe por që nuk iu kishin dhënë arsyet e mos sjelljes së të njëjtëve nga stacionet policore përkatëse.
Seanca e 28 marsit 2023, ishte shtyrë në mungesë të akuzuarit Remzi Jahiri i cili kishte qenë jashtë vendit për shkaqe shëndetësore.
Ndërsa, seanca e 8 majit 2023, ishte shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hilmi Dudi, avokatit Ramiz Krasniqi, i cili kishte munguar për shkaqe shëndetësore.
Kurse, seanca e 17 korrikut 2023, ishte shtyrë në mungesë të akuzuarit Hilmi Dudi i cili mungoi për shkaqe shëndetësore.
Edhe, seanca e 12 tetorit 2023, ishte shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hilmi Dudi, avokatit Ramiz Krasniqi, i cili kishte munguar për shkaqe shëndetësore.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 22 prill 2022, Remzi Jahiri ngarkohet se nga 31 prilli 2018 deri në dhjetor të vitit 2019, në zyrën e tij në Fushë-Kosovë me dashje dhe qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Valon Maliqeviq, ashtu që të njëjtit vazhdimisht i ka dhënë para me fajde, me kamatë mujore dukshëm joproporcionale, në atë mënyrë që i dëmtuari Maliqeviq gjatë kësaj periudhe ka marrë nga i akuzuari Jahiri gjithsej 15 mijë euro me fajde, ndërsa ka kthyer 12 mijë e 800 euro vetëm kamatë.
Po ashtu, në këtë aktakuzë thuhet se i njëjti herën e parë i ka marrë 5 mijë euro, kurse pesë herë të tjera nga 1 mijë euro, si dhe më 27 shtator 2019 ka marrë edhe 5 mijë euro.
Tutje, thuhet se në pamundësi për t’i kthyer paratë e fajdesë, i dëmtuari Maliqeviq ka shkuar në zyrën e të akuzuarit Jahiri për ta lutur që t’ia shtynte afatin, mirëpo ky i fundit e kishte kërcënuar me fjalët “nëse nuk vjen vëllai i yt nga Gjilani për të garantuar, ka me të bë për spital, ka me të rreh ditë për ditë dhe ti duhet t’i japësh menjëherë 1 mijë e 200 euro për paratë e marra me fajde 10%” edhe pse i dëmtuari Maliqeviq kishte paguar në data të ndryshme kamatë prej 7 mijë euro, 3 mijë euro, si dhe 450 euro, ndërsa thuhet se i dëmtuari ka pasur obligim t’i kthejë paratë me datat 1, 31, 4 dhe 19 të vitit 2019.
Gjithashtu, në aktin akuzues thuhet se nga 30-31 prilli i 2017-ës deri në tetorin e vitit 2019, në Fushë-Kosovë në zyrën e tij me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror në mënyrë të kundërligjshme, ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare e të dëmtuarit Drilon Maloku, i cili nga i akuzuari Jahiri ka marrë para me fajde në shuma të ndryshme për 2 vite.
Kurse, thuhet se i dëmtuari Maloku për 10 mijë euro, ka kthyer 20 mijë euro në emër të kamatës, në përqindje prej 10, 15 dhe 20 % në muaj, në atë mënyrë që herën e parë ka marrë 5 mijë euro me 10% në muaj shumën totale 9 mijë euro para të dorëzuara në emër të fajdesë të akuzuarit Jahiri. Ashtu që pas 3-4 muajve nga i pandehuri ka marrë dy mijë euro me 20% kamatë mujore dhe për 3 muaj ka paguar kamatë në shumën e përgjithshme prej 1 mijë e 200 euro.
Gjithashtu, thuhet se për shkak të operimit të bashkëshortes së tij, i njëjti ka marrë 5 mijë euro me fajde, me kamatë mujore prej 10 për qind, kurse herën e të fundit ka marrë përsëri 2 mijë euro me fajde, me kamatë mujore 15-20 për qind.
Ndërkaq, thuhet se më 25 shtator 2019 i dëmtuari Maloku ka marrë 5 mijë euro me fajde nga i akuzuari Jahiri.
Tutje sipas kësaj aktakuze, nga 30 dhjetori i viti 2018 deri në shtator dhe tetor të vitit 2019 në një kafene në Prishtinë me dashje dhe qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Liridon Berisha, të njëjtit i ka dhënë para me fajde me nga 10-15 % të kamatës mujore, ashtu që i dëmtuari Berisha ka marrë gjithsej 8 mijë e 500 euro herën e parë që ishte së bashku me Driton Malokun, kur i akuzuari Jahiri i jep paratë 5 mijë euro.
Ndërkaq, thuhet se marrëveshja ka qenë që nëse i dëmtuari nuk i kthen me kohë, atëherë duhet të paguajë më shumë. Andaj, më 10 prill 2019, i njëjti përsëri ka marrë para në vlerë prej 2 mijë e 500 euro, ndërsa kamata ka qenë 400 euro, ashtu që i dëmtuari Berisha për 6 muaj ka paguar 2 mijë e 400 euro pa borxh fillestar, kurse në qershor të po këtij viti i njëjti përsëri ka marrë para me fajde nga i akuzuari Jahiri në vlerë prej 1 mijë euro, ku me kërkesën e këtij të fundit të kthehen 200 euro kamatë mujore, ashtu që për shumën e këtyre parave pagoi 800 euro kamatë, ku totali i marrjes së parave ishte 8 mijë e 500 euro, ndërsa i dëmtuari ka paguar 10 mijë e 700 euro në emër të kamatës, të cilat para i ka kthyer në zyrën e të akuzuarit Jahiri.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në muajin nëntor-dhjetor të vitit 2018 i akuzuari Jahiri me qëllim të përfitimit pasuror në mënyrë të kundërligjshme ka pranuar para nga i dëmtuari Valon Krasniqi një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, ashtu që i dëmtuari për shkak të vështirësive financiare të biznesit ka marrë para me fajde gjithsejtë 12 mijë euro dhe ka kthyer 11 mijë e 350 euro në emër të kamatës.
Për të dëmtuarin Krasniqi, thuhet se herën e parë ka marrë 3 mijë euro për të cilat është dashur të kthehen 3 mijë e 600 euro, ashtu që i njëjti ka marrë 4 herë nga 1 mijë euro para me fajde nga i akuzuari Jahiri me kamatë mujore që t’i kthejë nga 200 euro, e që gjithsej ka paguar për 4 mijë euro, 800 euro kamatë.
Ndërkaq, më 27 tetor 2019 ka marrë edhe 5 mijë euro tek i akuzuari Jahiri, ku ky i fundit ua ka ndaluar kamatën në vlerë prej 750 euro.
Andaj, me ketë i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale në vazhdim “Fajdeja” nga neni 331, par.2 të KPRK-së.
Ndërsa, për të akuzuarin Hilmi Dudi thuhet se nga viti 2018 deri më 24 tetor 2019, në restorantin e “Petrol Company” në Fushë-Kosovës me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, me dashje ka ndihmuar të akuzuarin Jahiri në dhënien dhe marrjen e parave për të dëmtuarit e lartcekur, në atë mënyrë që sa herë të dëmtuarit kanë marrë paratë si në dispozitivin e aktakuzës, si dhe kanë kthyer paratë nga i akuzuari Jahiri, prezent ka qenë edhe i akuzuari Dudi.
Tutje në këtë aktakuzë thuhet se i dëmtuari Valon Maliqeviq në pamundësi që të kthejë paratë e marra me kamatë, e ka paraqitur rastin në polici, në atë mënyrë që është bërë edhe simulimi i parave.
Ndërsa, më 24 tetor 2019 i dëmtuari Maliqeviq thuhet se shkon dhe ia jep paratë e simuluara të akuzuarit Dudi dhe atë 600 euro sapo hynë në zyrë, ky i fundit i thotë dëshmitarit “hajde Valon se ty kesh tu të prit edhe veç lemi paratë çka ki me lanë edhe hec”.
Kurse, në fund të kësaj aktakuze thuhet se i dëmtuari Driton Maloku shkon në zyrë për të shlyer paratë e fajdesë ku në atë rast i akuzuari Dudi i drejtohet me fjalët “100 euro i ke dënim në ditë, për shkak se kjo është gjobë këshilluese për shkak të vonesës në pagimin e ratave të fajdesë”.
Andaj, me këtë i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale- Fajde” nga neni 331, par.2 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.