Lajme
Hykolli: Paga minimale prej 170 euro, ndoshta më e ulëta në botë
Demokracia
22:25 | 01 Maj 2023

Share:

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se paga minimale prej 170 euro në Kosovë është më e ulëta në rajon e Evropë, e ndoshta edhe në botë.

Hykolli, ka thënë se paga minimale nuk ka ndryshuar që nga viti 2011, ku sipas tij, për këtë arsye Kosova është në renditje të fundit në rajon.

“Paga minimale nuk është negociuar që nga viti 2011, kemi një pagë minimale shumë të ulët në rajon, në Evropë e ndoshta në krejt botën. Kemi pagë minimale 170 euro. Paga minimale negociohen në fund të çdo viti, që të jetë e gatshme për vitin tjetër, të rritet edhe të ecë me inflacionin. Mirëpo, ne nuk e kemi pagën minimale që nga viti 2011, edhe për këtë arsye ne e kemi gjendjen çfare e kemi”, ka thënë ai në emisionin “ResPublika”.

Ai ka thënë se kërkesat e BSPK-së për rritjen e pagës minimale nuk janë marrë parasysh.

“Kërkesat nuk janë marrë parasysh, se po të ishin marrë parasysh, nëse do ta kishim marrëveshjen e përgjithshme kolektive do ta kishim pagën minimale sipas standardeve që i plotëson negocimi që bënë komisioni dhe do të kishim edhe të drejta më të përmirësueshme të të gjithë të punësuarve në vend”, tha kryetari i sindikatës në Tëvë1.

Tutje, ai ka thënë se sa më shpejtë të ngritët paga minimale.

“Ne jemi dakord që sa më shpejt paga minimale të ngritët në bazë të matematikës, të cilën e cakton komisioni i cili është komision trepalësh, nga partneri social, nga punëdhënësi, nga Qeveria e Sindikata”, shtoi ai.

Të ngjashme