Pati Vardhami, e cila garoi në zgjedhjet e 21 majit në Greqi nën siglën e partisë MeRA25, parti, që drejtohet nga ish-ministri i Financave të Greqisë gjatë kohës së krizës ekonomike Yanis Varoufakis, tha në një lidhje për ABC News se gara ishte shumë e fortë dhe rezultati I papritur.
Ajo u shpreh se “e dinim që në fillim që gara nuk do ishte e lehtë”. Sipas saj, është një betejë shumë e fortë.
“Jo vetëm për kandidatët shqiptarë, por me sa u kuptua ishte edhe një garë shumë e fortë elektorale, edhe rezultatet e përgjithshme nuk ishin ato që priteshin. Mendoj se ka të bërë me mbizotërimin e të djathtës alternative, një frymë që ka nisur në SHBA, kemi Melonin në Itali, Le Pen në Francë, kemi rezultate të ngjashme në vendet skandive. Me sa shoh unë gjendja është shqetësuese për forcat progresive”, u shpreh ajo, ndërsa shtoi se do beteja e saj politike nuk ndalet këtu.
“Ka qenë një rezultat i papritur, po bëjmë analizën e asaj çfarë ka ndodhur. Jemi përball me forca shumë të mëdha, sociale dhe politike. Partia Konservative dhe forcat konservative kanë sponsorizuar, median në mënyrë të madhe gjatë pandemisë. Narrativa e tyre, mbizotëron te mediat. Është e vështirë të vijmë afër pranë tyre dhe të kalojmë mesazhin tonë. Popullata shqiptare është e zhgënjyer me situatën politike. Beteja vijon, është një betejë shoqërore dhe politike”.