Lajme
DOKUMENT| Ministria e Gërvallës bëri dy herë shkelje kur e shkarkoi Viskont Jakupin
Demokracia
19:41 | 27 Prill 2022

Share:

Diplomati Viskont Jakupi, i cili është kthyer nga Misioni Diplomatik në Londër me një vendim të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka triumfuar edhe një herë kundrejt vendimit të kundërligjshëm të MPJD-së.

Për të dytën herë me radhë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka hedhur poshtë vendimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, për kthimin nga misioni diplomatik në Londër të Viskont Jakupit.

Më 11 nëntor të vitit 2021, tri ditë para balotazhit në Prizren, Donika Gërvalla kishte marrë vendim që Viskont Jakupi, zyrtar i lartë për marrëdhënie dypalëshe, të kthehej prej misionit diplomatik në Londër, raporton Demokracia.com.

Këtë vendim, ajo e kishte marrë pas afrimit të PDK-së dhe LDK-së për balotazhin në Prizren. Kandidat i kësaj të fundit në zgjedhjet lokale në këtë komunë ishte Anton Quni, i cili e kishte humbur garën qysh në raundin e parë. Ky thuhej se është i afërt me Viskont Jakupin.

Në vendimin e KPMSHCK-së që e ka siguruar Demokracia.com thuhet se aprovohet si e bazuar ankesa me numër A.nr.117/2022 e datës 11/02.2022, e parashtruar nga ankuesi Viskont Jakupi dhe shfuqizohet vendimi me Nr.ref:65/2022 i datës 07.02.2022 i zëvendëskryeminstres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Me datën 15.03.2021, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka nxjerrë vendim me të cilin e ka shfuqizuar vendimin e ministres Gërvalla dhe e ka detyruar atë që ta rishqyrtojë lëndën e ankuesit.

Pas këtij vendimi, Gërvalla ka shfuqizuar vendimin, por e ka lënë në fuqi pjesën ku konfirmohet tërheqja/kthimi nga misioni në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shkruan Demokracia.com.

Ankuesi i pakënaqur me vendimin ka parashtruar edhe një ankesë.

“Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave, për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike si dhe vendosjes në mënyrë meritore, ka administruar këto prova: Ankesën e datës 24.11.2021 me Nr.Prot: 5640/2021 e parashtruar nga ankuesi në KSHPMSHC. Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave, për vendosjen e kësaj çështje ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës të parashtruara nga palët dhe ka konstatuar se ankesa e Viskont Jakupit është e bazuar.”, thuhet në vendim.

Andaj, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, sikurse edhe analizimit të dispozitave ligjore, respektivisht ligjit material në rastin konkret dhe të gjeturave të pasqyruara në këtë vendim, ka konstatuar se vendimi me numër nr.ref.65/2022 i datës 07.02.2022, i nxjerrë nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është i paligjshëm, siç përcaktohet me dispozitat e Ligjit Nr.05.L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 52 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe nënparagrafi 1.5.

Vendimi është nënshkruar nga kryetarja e kolegjit Malsore Gashi-Bajraktari dhe i është dorëzuar ankuesit Viskont Jakupi, Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së dhe udhëheqësit të Njësisë së Burimeve Njerëzore në MPJD./Demokracia.com/

Të ngjashme