Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat skandaloze të ministrit Hekuran Murati, të bëra vite më parë, kundër UÇK-së dhe veteranëve.
Kurti ka thënë se nuk është komentues dhe komentet e tilla nuk janë prioritet i tij.
“Unë jam kryeministër, por jo komentues. Komentues ka pafund. Kryeministri, qeverisë me vendin për çështje madhore dhe çka shkruajnë komentuesit për tema të shumë vjetëve nuk mund të jenë temë as prioritet për mua”, ka thënë Kurti.
Sa i përket të pagjeturve, shefi i ekzekutivit tha se do të jetë prioritet i Qeverisë së tij dhe se gatishmërinë e kanë, por që jo gjithçka varet nga ta.
“Padyshim që çështja e të pagjeturve është prioritet për qeverinë. Ata janë të zhdukur me dhunë dhe do të bëjmë maksimumin që kjo çështje të zbardhet sa më parë, sepse ankthi i familjarëve është më i madh sesa pikëllimi i tyre që nuk është vetëm i tyre. Ne kemi gatishmëri dhe interesim por nuk varet vetëm nga ne”, tha ai./EO