Lajme
HRN-ja kërkon hetim të menjëhershëm për grafitin kundër homoseksualëve në Prishtinë
Demokracia
17:25 | 08 Gusht 2023

Share:

Rrjeti për të Drejtat e Njeriut (HRN), i përbërë nga shtatë organizata joqeveritare, më 8 gusht u bëri thirrje institucioneve kosovare të drejtësisë për një hetim të “menjëhershëm” të një grafiti në Prishtinë të hënën, i cili bënte thirrje për vrasjen e homoseksualëve.

Në një rrugë të kampusit të Universitetit të Prishtinës (UP), në mëngjesin e 7 gushtit u pa një grafiti me mbishkrimin në gjuhën angleze: “kill the gays”, apo në shqip: “vrisni homoseksualët”.

“Shkrime me përmbajtje të tilla me thirrje për vrasje duhet të hetohen me urgjencë dhe ndaj kryesve duhet të shqiptohen dënime meritore në bazë të ligjeve në fuqi. Thirrjet për vrasje e gjuha e urrejtjes të përdorura e vizualizuara haptazi në hapësirat e një institucioni publik, ngjallin pasiguri, ndjenjë të frikës, ankthit e (ri)traumatizim te personat LGBTIQ+ dhe në të njëjtën kohë janë kërcënim direkt ndaj këtij komuniteti dhe gjithë shoqërisë”, thuhet në një reagim të HRN-së në Facebook.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i tha Radios Evropa e Lirë të hënën vonë se çdo mbishkrim i cili ka elemente serioze trajtohet nga policia, por nuk konfirmoi nëse policia ka nisur ndonjë hetim.

Të hënën pasdites, një organizatë e cila avokon për të drejtat e homoseksualëve rrjetin social Facebook ka postuar një fotografi ku shihet se mbi fjalën “vrisni” është shkruar “puthni”.

“Kiss the gays”, apo në shqip “puthni homoseksualët”, shkruhet në mbishkrimin e korrigjuar.

“Na jemi këndej dhe jemi gati t’i mbrojmë hapësirat tona publike”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Në Kosovë, në muajin qershor, për të shtatën herë me radhë është mbajtur Parada e Krenarisë.

Paradat e Krenarisë në Kosovë shërbejnë si protesta për të drejtat ligjore si martesat midis personave me të njëjtën gjini.

Aktivistë dhe pjesëtarë të këtij komuniteti vazhdimisht theksojnë se shoqëria kosovare është tejet konservatore, andaj ka pak të tillë që deklarohen hapur për orientimin e tyre seksual.

Pjesëtarë të këtij komuniteti kanë raportuar se janë shënjestër e dhunës, diskriminimit dhe stigmatizimit. /REL/

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2024