Lajme
Hoxhaj uron Kurtin: S’bëjmë koalicion me Vetëvendosjen
Demokracia
23:17 | 14 Shkurt 2021

Share:

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka uruar Albin Kurtin për rezultatin zgjedhor.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, e ka uruar Albin Kurtin, rrjedhimisht Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin e arritur në zgjedhjet e sotme, raporton Demokracia.com.

Hoxhaj në një konferencë për medie ka bërë të ditur se nuk do të bëjnë koalicion dhe do të qëndrojnë në opozitë.

“U konfirmua edhe një herë që Republika e Kosovës është shtet i ri dhe demokraci e re, por pa dyshim një demokraci e konsoliduar dhe e fortë. Procesi i sotëm zgjedhor tregoi që jemi shembull për vendet e rajonit. Qytetarët e Kosovës kanë folur dhe vullneti i tyre politik duhet të respektohet. Rezultati i sotëm e vë Lëvizjen Vetëvendosje në pozitën e parë në jetën tonë politike ndërsa Partinë Demokratike të Kosovës në pozitën e dytë dhe padyshim që ky është mesazh i qartë të cilën ne si kryesi e PDK-së e kemi pranuar si të tillë. Unë dua që ta uroj Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin e arritur dhe dua që t’i ftojë që të punojnë që edhe më shumë ta forcojnë shtetin e Kosovës dhe institucionet e Kosovës. Natyrisht PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje me që ne kemi dallim të madh në orientimet e tona politike, ne jemi shumë larg njëra-tjetrës me orientimet politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe mbi të cilat qëndron PDK-ja”, deklaroi Hoxhaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme