Kandidati për kryeminstër i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka bërë homazhe në 22 vjetorin e masakrës së Raçakut dhe tha se kjo masakër e ka lëvizur ndërgjegjen e botës për të intervenuar në Kosovë.
“Një ngjarje që lëvizi ndërgjegjen e botës, si rezultat i kësaj ndodhi edhe intervenimi i NATO-së në Kosovë.” tha Hoxhaj
Sipas Hoxhajt askush nuk e ka menduar që 21 vite pas kësaj ngjarje, do të jenë pa ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
“Por asnjëherë nuk e kemi menduar se pas 21 vitesh ne do të jemi në Raçak pa kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, presidentin Hashim Thaçi, pa Jakup Krasniqin, pa Rexhep Selimin, pa liderët e UÇK-se dhe pa liderët e PDK-së, të cilët në mënyrë të padrejtë po përballen me këtë gjykatë.” tha ai
Hoxhaj më tutje shtoi se krerët e UÇK-së në gjykatë nuk janë si emra dhe mbiemra të përveçshëm, por në gjykatë është kauza jonë për liri.
Edhe kryetari i Shtimes, Naim Ismajli tha se fshati Raçak, sipas tij, e tregon më së miri se kush e ka vendin për tu gjykuar në Hagë.
“Më së miri tregon Raçaku se kush duhet të ketë vendin në Hagë, më së miri tregon Raçaku se ndaj kujt duhet të ngriten aktakuzat”, tha ai.
Krahas kësaj, Ismajli kritikoi edhe ushtruesen e detyrës se presidentit, Vjosa Osmani për mungesë të organizimit në shënimin e masakrës së Raçakut./Demokracia.com