Lajme
Hoxhaj: Luftimi i lajmeve të rrejshme në interes të qytetarëve, që të marrin vendime të informuara
Demokracia
21:52 | 27 Janar 2021

Share:

Mentor Hoxhaj, ekspert i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrë një projekt për të luftuar lajmet e rrejshme në mediat sociale. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në këtë kohë pandemie, por edhe për fushatën elektorale për zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.

Në një intervistë për Demokracia.com, Hoxhaj, i cili ka qenë Mbikëqyrës i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tregon për projektin “FactCheckerKS” si dhe bashkëpunimin me institucionet kosovare dhe ndërkombëtare për të luftuar fenomenin e lajmeve të rrejshme në mediat sociale.

Demokracia.com: A mund të na tregoni se çfarë saktësisht synon projekti juaj?

Mentor Hoxhaj: Projekti “FactChecker KS” e kemi më 14 Mars 2020 si iniciativë për të luftuar lajmet e rrejshme dhe dezinformatat që shpërndaheshin sidomos në rrjetin social “Facebook” në lidhje me pandeminë e Covid-19.

Gjatë muajit shkurt të vitit 2020 kemi konstatuar shumë lajme të rrejshme për Covid-19, në gjuhën shqipe, që kanë qarkulluar në rrjetet sociale. Këtë të gjetur e kemi diskutuar si shqetësim me zyrtarët e rrjetit social Facebook të cilët na kanë ofruar mbështetje në luftimin e lajmeve të rrejshme në përgjithësi e për Covid-19 në veçanti.

Demokracia.com: Pse është me rëndësi të luftohet fenomeni i lajmet e rrejshme apo “Fake-News” siç njihen me emrin anglisht?

Mentor Hoxhaj: Lajmet e rrejshme apo siç janë më shumë të njohura “Fake News”, paraqesin një sfidë globale të informimit të drejtë dhe të saktë të qytetarëve. Qytetarët duhet të marrin vendime të mirë-informuara për çdo gjë.

Kjo sfidë në situata kritike merr dimension tjetër duke rrezikuar jo vetëm individët por madje edhe stabilitetin politik dhe ekonomik të një vendi. Ky fenomen kthehet në qendër të vëmendjes, veçanërisht në kohën e zgjedhjeve pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt tek votuesit, të cilët mund të votojnë të ndikuar nga lajmet e rrejshme për një person apo subjekt politik.

Demokracia.com: Sa është i përhapur fenomeni i Fake News në Kosovë? A ka lidhje me zgjedhjet e 14 shkurtit dhe a mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve? 

Mentor Hoxhaj: Fake news është i pranishëm në vazhdimësi. Por, ajo që vërejmë është se që nga pjesa e dytë e dhjetorit ka rritje të numrit të profileve dhe faqeve që kanë qëllim dezinformimin dhe propagandën. Po shohim aktivizimin e qindra faqeve në shërbim të dezinformimit dhe propagandës me bazë në Maqedoninë e Veriut, pjesa dërmuese, por edhe në shtete si Gjermania e Zvicra. Shohim grupe të mbështetësve të partive politike që shpërndajnë Fake News për oponentët politikë. Duke pasur parasysh që fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit zhvillohet – edhe më shumë se herët tjera – në mediat sociale, atëherë impakti i Fake News do të jetë relativisht i madh në vet zgjedhjet e shkurtit.

Demokracia.com: Sa faqe keni raportuar dhe mbyllur që nga fillimi i këtij viti, pra pa u mbushur një muaj i plotë?

Mentor Hoxhaj: Që nga fillim i vitit kemi mbyllur mbi 300 faqe, qoftë për shkelje të politikave të sjelljes, qoftë faqe mashtruese, scam. Ka ditë kur raportojmë dhe mbyllim më shumë se 10 faqe.

Demokracia.com: A e luftoni këtë fenomen të vetmuar apo në bashkëpunim me institucione tjera?

Mentor Hoxhaj: Ne kemi ndërtuar një bashkëpunim me rrjetin social “Facebook” dhe falë këtij bashkëpunimi kemi arritur të mbyllim dhe heqim nga ky rrjet shumë faqe të rrejshme. Luftimi i dukurive negative dhe mbrojta e privatësisë janë temat kryesore të këtij bashkëpunimi.

Në luftimin e “fake news” dhe në përgjithësi të dezinformimit, jemi duke bashkëpunuar edhe me Komisonin e Pavarur të Mediave dhe me Këshillin e Mediave të Shkruara në Kosovë. Hapi i radhës është bashkëpunimi me ISP-të, pra ofruesit e shërbimeve të internetit./Demokracia.com

Të ngjashme