Lajme
Hoxha vizitoi familjen e Bunjakut: Policia e Kosovës do ta kujtojë përherë heroin
Demokracia
17:46 | 17 Dhjetor 2023

Share:

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka vizituar familjen e ish-rreshterit policor, Afrim Bunjaku, i cili është vrarë më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, si pasojë e një sulmi terrorist nga një grup i armatosur serb.

Në një komunikatë për shtyp, policia ka thënë se Bunjaku do të kujtohet për heroizmin, derisa ka garantuar se do të jetë gjithmonë pranë familjes duke iu ofruar mbështetjen e nevojshme. Familjes Bunjaku gjithashtu i është dorëzuar edhe një pllakatë dedikuar ‘Heroit të Kosovës’.

“Në emër të Policisë së Kosovës drejtori Hoxha edhe njëherë gjatë kësaj vizite falënderoi familjen e Heroit Bunjaku për sakrificën dhe kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës, me ç‘rast i siguroi ata se Policia e Kosovës do të jetë gjithmonë pranë tyre duke kujtuar heroizmin e Afrimit dhe duke ofruar përherë mbështetjen e nevojshme për familjen e tij”.

Ndërsa gjatë vizitës në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, drejtori i Policisë së Kosovës ka falënderuar zyrtarët policorë për punën dhe angazhimin e tyre të pakursyer dhe njëkohësisht, ka kërkuar të vazhdojnë me përkushtim realizimin e detyrave policore në interes të sigurisë, parandalimit të krimit e kontrabandës dhe menaxhimit sa më efikas të kufirit shtetëror.

Të ngjashme