Lajme
Hoxha: Viti i parë i Qeverisë Kurti, paaftësi e plotë
Demokracia
11:12 | 28 Mars 2022

Share:

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, duke folur për punën një vjeçare të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti kërkoi që Qeveria të këndellet dhe të ndërgjegjësohet për realitetin.

Duke e konsideruar si qeverisje me paaftësi të plota, Hoxha u shpreh se në asnjë fushë nuk është shënuar progres gjatë këtij viti.

“Qeveria Kurti ka mbushur 1 vit prej që është mandatuar nga Kuvendi dhe ky vit i parë i Qeverisë Kurti është karakterizuar me një paaftësi të plotë. Fatkeqësisht, kjo paaftësi ka pasur efekt të madh në jetën e gjithë neve pa dallim. Jo vetëm që nuk është bërë progres në asnjë fushë, por ka pasur stagnim të plotë deri në shkallën që të rinjtë dhe të rejat e Kosovës të mos shohin më kurrfarë perspektive dhe të ndjekin dyert e ambasadave pa dallim”, tha ajo.

Sipas deputetes së PDK-së, Qeveria Kurti është treguar tërësisht e paaftë dhe tepër e ngadalshme edhe në raport me krizat që kanë prekur botën dhe vendin.

Prandaj, i ka bërë ftesë ekzekutivit që të këndellet dhe ndërgjegjësohet karshi realitetit me të cilin po përballet vendi.

“Një ftesë të sinqertë e sidomos kësaj qeverie që të këndellet e ndërgjegjësohet e ta kuptojë realitetin në të cilin ndodhemi. Qëndrimi prej spektatori, përderisa kriza dhe pasiguria shoqërore dhe ekonomike dhe trendi i largimit të të rinjve është kaq tragjik, nuk është qëndrim i duhur dhe nuk është as i arsyeshëm dhe as i mundur. Prandaj, ne kërkojmë që Qeveria të këndellet e të fillojë të operojë pa kurrfarë kompleksi në raport me detyrat e saj… Kjo nuk është apel i yni si opozitë se do iu mbajmë llogaridhënës për performancën tuaj, por këndellja juaj është nevojë, sepse kemi përgjegjësi para qytetarëve”, theksoi ajo.

Hoxha theksoi se Qeveria Kurti ka treguar mungesë të vizionit për zhvillim dhe ka qenë refuzuese ndaj projekteve investuese.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha para deputetëve të Kosovës kritikoi qeverisjes edhe në politikën e jashtme, për çka tha se udhëheqja e këtij dikasteri ka qenë në mënyrë më të padinjitetshme të mundshme.

“Politika e jashtme është udhëhequr në mënyrën më të padinjitetshme të mundshme, ka pasur një abstenim të plotë në politikën e jashtme në një kohë kur prezenca dhe materializimi i interesave tona në planin ndërkombëtar ka qenë një domosdoshmëri e pazëvendësueshme si në planin e njohjeve, anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtar e deri në çështje e sigurisë së voni. Një politikë e tillë e jashtme është në fakt një abstenim i përfaqësimit të Kosovës në planin ndërkombëtar”, u shpreh Hoxha.

Të ngjashme