Lajme
Hovenier: SHBA nuk e mbështet as “Shqipërinë e Madhe” dhe as “Serbinë e Madhe”
Demokracia
13:00 | 16 Gusht 2023

Share:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin as “Shqipërinë e Madhe” dhe as “Serbinë e Madhe”.

Këtë qëndrim në emër të Washingtonit, e bëri të ditur në mërkurën në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier në një takim me gazetarë.

Sipas tij, SHBA-ja e përkrah integritetin territorial dhe sovranitetin e çdo shteti në Ballkanin Perëndimor.

“Mendoj se të gjithë ne kemi parë një numër të deklaratave publike për këtë vizitë dhe ngjarjet në Maqedoninë e Veriut që lidhen me vizitën e Kryeministrit Kurti. Nuk e di nëse është e përshtatshme që unë të flas për specifikat e vizitës. Por kam parë që në komentet publike ka brengosje për idenë e Shqipërisë së Madhe, si diçka që që është diskutuar në kontekst të kësaj vizite. Dua ta ritheksoj pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë çështje. Është shumë me rëndësi dhe dua ta lexojë fjalë për fjalë qëndrimin e qeverisë amerikane për këtë, që ta bëjë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin Shqipërinë e Madhe dhe nuk e mbështesim as Serbinë e Madhe” ka thënë Ambasadori amerikan.

Ky reagim i diplomatit vjen pas zhvillimeve që pasuan vizitën e kryeministrit Kosovar, Albin Kurtit, në Maqedoninë e Veriut, e cila nxiti reagime të bartësve të institucioneve për shkak të disa simboleve që promovonin shtetin etnik të shqiptarëve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin rivizatimin e kufijve shtetërorë në rajonin e Ballkanit. Çdo përpejekje për të bërë diçka të tillë do të ishte kundërproduktive dhe destabilizuese . SHBA’të të mbështesin fuqishëm integritetin territorial të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor përfshirë Kosovën” ka shtuar tutje Hovenier.

Takimi i Hovenierit me gazetarët ka përfunduar pak çaste më parë.

Të ngjashme