Lajme
Hoti: Të rënët e Krushës janë themeli i shtetit tonë për liri
Demokracia
13:31 | 26 Mars 2023

Share:

Kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti në një fjalë rasti ka lexuar një mesazh nga një vajzë që ka humbur më të dashurit e saj, përmes të cilës kërkon drejtësi për familjarët e saj.

Hoti, para të pranishmëve ka thënë se do të luftojnë për zbardhur fatin e të gjithë të pagjeturve.

“Ne ende jemi në luftë me kriminelet serb, që nuk mund të falim e as të harrojmë dhe për këtë do të luftojmë o në Bruksel ose në Botë. Falë gjakut të gjithë atyre që kanë rënë, që i dolën zot vendit dhe i thanë stop kriminelit serb. Ne do të kërkojmë drejtësinë dhe nuk do të ndalemi derisa të gjejmë atë. Krusha kërkon vetëm drejtësinë, ndëshkimin e kriminelit serb që vranë të reja e të rinj, burra, gra e pleq. Të rënët e Krushës janë themeli i shtetit tonë për liri”, është shprehur Hoti.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka thënë se dëshmia më e mirë e lirisë është gjaku i të rënëve për liri.

“Të përkujtojmë barbarizmin e një regjimi, i cili i takon të kaluarës, të përkujtojmë gjithë atë terror që disa prej ne kemi përjetuar, kemi humb fëmijë, nxënës dhe kemi akoma të pagjetur, andaj gjithë kjo e vështirëson një lëvizje përpara pa u zbardhur fati. Liria jonë nuk ka pikë nga qielli, janë rezultat i një sakrifice, luftë, e betejë luftarake”, ka thënë Totaj.

Kryetarja e fshatit në Krushë të Vogël, Shpresa Shehu ka kujtuar të gjithë dëshmorët e rënë për liri, në mesin e tyre edhe të zhdukurit që ende nuk dihet për fatin e tyre.

“Edhe ky përvjetor na gjenë në ankthin e pritjes. Edhe sot sikur 24 vite me parë jemi mbledhur për të kujtuar 113 familjarë të moshave të ndryshme që u vranë e u zhdukën pa asnjë gjurmë. Sot, në përvjetorin e 24-të kujtojmë 113 vjetorin e gjithë të vrarëve në mënyrë mizore. Krusha ende jeton me dhimbjen se a do të gjenden edhe 60 të tjerë. Fatkeqësisht edhe pas 24 viteve, Kosova po vazhdon të paguajë çmimin e lirë, me të vetmin qëllim që vlera e UÇK-së të mbetet e pastër dhe e paprekshëm”, ka thënë Shehu.

Të ngjashme