Në Prekaz të Skenderajt dhe në lagjen “Tosuz” në Prizren së shpejti do të fillojnë gërmimet për personat e zhdukur gjatë luftës. Kështu ka bërë të ditur, Andin Hoti, kryesues i Komisionit qendror për persona të zhdukur. E që fati i të pagjeturve të zbardhet, po kërkohet që Serbia të kushtëzohet nga vendet ndërkombëtare.
Pas 24 vjetësh nga përfundimi i luftës, gjatë gërmimeve të bëra te varrezat e fshatit Arban, u gjetën eshtrat e një personi që figuronte në listën e të zhdukurve.
Por së shpejti, sipas kryesuesit të Komisionit qendror për persona të zhdukur, Andin Hotit, do të fillojnë gërmimet edhe në disa lokacione të tjera.
E që fati i personave të zhdukur gjatë luftës të zbardhet, Hoti kërkon që Serbia të kushtëzohet nga vendet ndërkombëtare.
Trysni ndaj Serbisë po kërkon edhe profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu.
Madje, sipas Salihut, shteti serb është në dijeni për personat e zhdukur gjatë luftës.
Çështja e personave të pagjetur ishte ndër temat kryesore të takimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Madje për këtë ishte miratuar edhe deklarata për të pagjeturit, por e cila mbetet e pazbatuar.