Lajme
Hoti reagon pas formimit të qeverisë: Po nisim një rrugëtim tjetër, nuk do të gjuajmë gaz lotësjellës
Demokracia
20:50 | 22 Mars 2021

Share:

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti ka uruar Qeverinë e re të Kosovës. Ai ka thënë se bashkë me partinë e tij, LDK-në, po nisin një rrugëtim të ri si opozitë.

Hoti në një konferencë për media pas formimit të Qeverisë së Kosovës ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, raporton Demokracia.com.

“Uroj secilin qytetar për mbylljen e një procesi demokratik zgjedhor. Sot është konsistuar kuvendi dhe është zgjedhur qeveria. Përgëzoj secilin deputet për sjellje shtetërore. Uroj kryetarin e ri, kryeministrin e ri për detyrat që kanë marrë për udhëheqjen e dy prej institucioneve më të rëndësishëm në vend”, është shprehur Hoti.

Hoti mes tjerash ka thënë se po fillon një rrugëtim të ri si opozitë. Megjithatë, ai tha se nuk do ta gjuajnë gaz lotësjellës, por se do të jenë opozitë konstruktive, raporton Demokracia.com.

“LDK dhe unë nisim një rrugëtim tjetër. Do të jemi opozitë në Kuvendin e Kosovës, duke mbikëqyrur punë e qeverisë. Do të kujdesemi që premtimet zgjedhore të realizohen pikë për pikë. Nuk do të gjuajmë gaz lotësjellës në kuvend, do të jemi opozitë konstruktive duke përdorur mjetet kushtetuese dhe demkratike”, tha Hoti.

Hoti në fund ka konfirmuar se do t’ia dorëzojë Kurtit detyrën, siç është e paraparë me ceremoni.

Kurti sot është zgjedhur kryeministër i Kosovës për herë të dytë.

Ai arriti që të marrë 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, nga 107 deputetë që ishin të pranishëm në sallën e kuvendit./Demokracia.com/

Të ngjashme