Lajme
Hoti premton pagesë shtesë për zyrtarët e Shërbimit Korrektues, pezullohet protesta
Demokracia
13:39 | 01 Mars 2021

Share:

Shërbimi Korrektuese i Kosovës (SHKK) mesditën e së hënës ka mbajtur një protestë para Qeverisë së Kosovës, për mosdhënien e mjeteve prej 100 euro sipas Ligjit për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19.

SHKK ka mbajtur një takim me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin, siç thanë ata për përfshirjen edhe të SHKK-së në shtesat mbi pagën bazë, raporton Demokracia.com.

Zëvendëskryetar i Sindikatës së Shërbyesve Korrektues, Frashër Racaj ka folur pas takimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.

Racaj tha se ndarja buxhetore për shtesat e punëtorëve të SHKK-së do të bëhen në mbledhjen e parë, të cilën do ta mbajë qeveria.

“Sapo përfunduam takimin me kryeministrin e Kosovës, në detyrë dhe me ministrin e ekonomisë dhe financave, të cilët na premtuan se dhe shërbimi korrektues do të përfshihet në shtesat mbi pagën bazë që nga muaji mars e që do të vazhdojë tutje ashtu siç jemi marrë vesh dhe me qeverinë e republikës së Kosovës nga takimet e janarit  dhe të shkurtit. Ndarjet buxhetore do të bëhen në mbledhjen e parë këtë vit të qeverisë dhe do të vazhdojmë tutje ashtu siç e ka paraparë edhe qeveria”, tha Racaj, raporton Demokracia.com.

Sipas Racajt, protesta do të pezullohet përkohësisht deri sa qeveria të merr vendimin, e që sipas tij ky vendim pritet të merret në javën e parë ose në javën e dytë të marsit.

“Protestat pezullohen përkohësisht deri në vendimin e qeverisë që pritet të merret në javën e parë ose në javën e dytë të muajit mars. Do të thotë mbledhja e parë e qeverisë e përcakton edhe ndarjen e mjeteve buxhetore për Shërbimin Korrektues të Kosovës, ashtu siç është paraparë në ligjin për pandemi”, tha Racaj.

Ai më tej shtoi se, paga shtesë prej 100 eurosh ka qenë kërkesa e vetme e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës.

Sipas Racajt qeveria është arsyetuar se Kosova po kalon në një periudhë të vështirë ekonomike dhe të gjitha kategoritë so të trajtohen njësoj.

“Arsyetimet e tyre ishin që Kosova po kalon nëpër një situatë shumë të vështire ekonomike dhe gjitha kategoritë do të trajtohen do të thotë edhe Shërbimi Korrektues ashtu siç e kemi pas marrëveshjen e janarit me ministrinë e ekonomisë dhe financave, pra do të kemi një trajtim të barabartë me sektorin e sigurisë, si policinë dhe me punëtorët shëndetësorë”, tha Racaj./Demokracia.com/

Të ngjashme