Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ndau sot 17.5 milionë euro për borxhin e KOSTT-in ndaj Rrjetit Evropian për furnizimin e komunave në veri.
Përpos ndarjes së mjeteve për shlyerjen e borxhit për furnizimin me energji elektrike në veri, ish-kryemnistri Hoti përmes një postimi në Facebook ka përmendur edhe disa nga veprimet e qeverisjes Kurti, ditëve të fundit.
“Qeveria sot ka ndarë 17.5 mil euro për borxhin e KOSTT-in ndaj Rrjetit Evropian për furnizimin e komunave në veri. Vite me radhë shanin për të njëjtën gjë. Për dijeni, këto mjete janë të projekteve kapitale që nuk janë realizuar. Zgjedhjet në veri i shtynë për prill, vendimin për tabela e shtynë pa afat, të arrestuarin për terrorizëm e liruan. Tani, para se të nisin festën e vitit të ri, ua paguajnë edhe rrymën atyre që vendosën barrikadat. Kjo është qeverisje se jo mahi” thuhet në postimin e Hotit.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pagesë në vlerë prej shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro, për detyrimet që ndërlidhen me shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore me shumicë serbe.
Në mbledhjen e mbajtur online qeveria ka njoftuar se këto mjete janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, mjete të cilat merren nga kursimet buxhetore.