Lajme
Hoti: Nuk i pranojmë paragrafët e shtuar nga Serbia në draftdokumentin për të pagjeturit
Demokracia
10:09 | 04 Janar 2023

Share:

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se Serbia ka shtuar disa paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, i cili pretendohet të nënshkruhet nga palët në kuadër të dialogut të Brukselit.

E në këtë formë, ky draft është i papranueshëm thotë Hoti, sipas së cilit, Serbia po shton paragrafë të rinj me qëllim që të prolongojë këtë proces.

Muajin që shkoi, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, bëri të ditur se nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka pranuar një draft të dokumentit, i cili synohet të nënshkruhet për çështjen e të pagjeturve.

Bislimi kishte deklaruar se dokumenti, për të cilin thuhej se mund të nënshkruhej gjatë muajit janar në Bruksel, nëse do të ketë takim të nivelit të lartë, do të shqyrtohet fillimisht nga Andin Hoti.

Lidhur me këtë, Hoti thotë se sa herë afrohet mundësia për nënshkrimin e një dokumenti për të pagjeturit, Serbia vendosë kërkesa të reja që janë të paarsyeshme.

Sipas tij, një dokument i tillë, me kërkesat e reja të Serbisë, e largon fokusin prej personave të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Drafti i dhjetorit që unë e kam parë, kanë shti një apo dy paragrafë të tjerë Serbia, e thash vetëm me prolongu këtë proces, që ka qenë shumë afër nënshkrimit, edhe pse e kanë lënë tash këtë problemin madhor që e kanë pasur ‘persona të zhdukur me forcë’, ai është aty tashmë ekziston aty, nuk merren me të por i kanë shtuar disa kërkesa të reja të panevojshme, të paarsyeshme, të pakuptueshme për një deklaratë të tillë dhe unë natyrisht nuk i pranoj të tilla dhe besoj që nëse largohen ato uroj të nënshkruhet, nuk e di nëse do të nënshkruhet… (Paragrafët) janë të panevojshëm, janë jashtë realitetit me atë çka ka ndodhur në Kosovë, nuk preket realiteti në Kosovë dhe janë të paarsyeshëm që do të na fuste më një rrugë tjetër që e largon fokusin prej personave të zhdukur me forcë të luftës së fundit në Kosovë”, thotë Hoti.

Hoti bën të ditur se Kosova është e gatshme të nënshkruaj dokumentin por pa kërkesat e reja të Serbisë./kp/

Të ngjashme