Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, sot janë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur pranë Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti tha se çështja e të zhdukurve nuk është plagë individuale, por një plagë që prek gjithë shoqërinë kosovare.
Ai theksoi se normaliteti nuk mund të arrihet pa zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.
“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje. Zhdukjet, vrasjet apo edhe dërgimi i trupave në frigorifer apo në pajisje të ndryshme nëpër varreza masive në Serbi, nuk janë thjeshtë akte lufte. Ato janë krim kundër njerëzimit, gjenocid i pastër. Një lloj krimi që në fakt bota e sotme nuk e sheh shpeshherë. Prandaj, ky krim duhet të ketë drejtësi, e që fatkeqësisht ne këtë drejtësi ende po vazhdojmë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kudo që mundemi. Ne, Kosova, qytetarët e Kosovës, nuk do të ndalemi derisa personi i fundit i zhdukur të dihet fati i tij”, tha Hoti.