Lajme
Hoti: Mospjesëmarrja e Kurtit në takimin në Tiranë është heqje dorë nga obligimet shtetërore
Demokracia
16:29 | 17 Korrik 2023

Share:

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se mospjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në takimin përgatitor në Tiranë për Procesin e Berlinit “është heqje dorë nga obligimet shtetërore dhe tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian”.

Në një postim në Facebook, ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk ka asnjë takim më të rëndësishëm për kryeministrin Kurti se pjesëmarrja në takimin që po mbahet në Tiranë.

“Procesi i Berlinit është përcaktuar për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Që nga fillimi i tij në vitin 2014, dakordimet e arritura në takimet vjetore të Procesit të Berlinit kanë qenë përcaktuese për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Bazuar në ato dakordime, janë marrë vendimet përkatëse të institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën ka qenë tepër e rëndësishme pjesëmarrja në këtë mekanizëm, mbi baza të barabarta si çdo vend tjetër, duke qenë faktor përcaktues për progresin në integrimin e rajonit së tërësi në BE”.

“Kështu që, nuk ka asnjë takim tjetër më të rëndësishëm për kryeministrin e Kosovës se pjesëmarrja në takimin përgatitur që po mbahet në Tiranë. Mospjesëmarrja në këtë takim tregon mungesë serioziteti dhe respekti të kryeministrit për Tiranën dhe për Procesin e Berlinit. Mospjesëmarrja në këtë takim është tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian”, shkroi ai.

Të ngjashme