Lajme
Hoti: Ismaili s’ka pasur ftesë nga BE-ja për dialog, është instrumentalizuar nga Qeveria
Demokracia
17:15 | 13 Mars 2024

Share:

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, të mërkurën ka raportuar në Komisionin për Buxhet lidhur me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës dhe për pjesëmarrjen e tij në bisedime në Bruksel për këtë çështje.

Përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Guvernatori Ismaili nuk ka pasur ftesë nga Bashkimi Evropian – ndërmjetësi i takimit.

Ftesën, sipas Hotit, e ka pranuar Qeveria, e cila e ka përcjellë atë te Guvernatori.

“Edhe pse Guvernatori deklaroi se e ka parë të panevojshme të shkojë në Bruksel, ka vendosur të shkojë. Takimi i dialogut në Bruksel është bërë mes Guvernatorit dhe disa zyrtarëve të ministrisë së financave të Serbisë. Takimi nuk ka qenë me homologun e tij”.

Ahmet Ismaili gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet

Sipas Hotit në Komisionin për Buxhet gjatë raportimit të Ismailit ndër të tjera është kuptuar se nuk ka asnjë informatë zyrtare me shkrim se çfarë është biseduar në takim me palën serbe.

“Guvernatori deklaron se, ‘nuk ka biseduar asgjë që nuk është dashur të bisedohet’. Kaq për transparencën e këtij takimi”, ka shkruar Hoti.

Guvernatori i BQK-së, sipas Hotit, është instrumentalizuar nga Qeveria e Kosovës meqë ekziston një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese që e qartëson se Qeveria e Kosovës është i vetmi institucion që përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë.

“Pjesëmarrja e Guvernatorit në këtë takim nuk është në përputhje me autorizimet ligjore të tij. Kompetencat e Guvernatorit sipas nenit 37 të Ligjit për BQK nuk parashohin se Guvernatori e përfaqëson Kosovën në dialog me një vend fqinj për zbatimin e rregullores së BQK-së”.

Të ngjashme
Lajme • 31 Maj 2024