Lajme
Home Office prezanton planin| Sunak premtoi rritje të numrit të shqiptarëve të dëbuar
Demokracia
10:58 | 05 Shkurt 2023

Share:

Ashtu siç u zotua disa ditë më parë që do të rriste numrin e kthimeve të emigrantëve në Shqipëri –  në intervistën e tij pas 100 ditëve si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar – Rishi Sunak ka propozuar një ndalim.

Me këtë të fundit, azilkërkuesit që kalojnë Kanalin me varka të vogla nuk do të kenë të drejtë të apelojnë kundër dëbimit.

Zyra e Brendshme ka paraqitur dy opsione për shqyrtimin e kryeministrit, ndërsa ai përpiqet të parandalojë automatikisht ata që mbërrijnë në Britani të kërkojnë azil.

Kuptohet se një propozim i tillë mund të sjellë reagime të forta për shkelje të të drejtave të njerëzve që përjashtohen automatik nga sistemi i azilit.

Një tjetër skemë e paraqitur nga departamenti i Sekretares së Brendshme, Suella Braverman, është që njerëzit që mbërrijnë me varka të vogla të lejohen të bëjnë një apel vetëm pasi të jenë dëbuar tashmë nga MB.

Të gjithë azilkërkuesit kanë të drejtë të qëndrojnë në Britani për të dëgjuar çështjen e tyre sipas ligjit aktual, por Sunak është zotuar të “ndalojë varkat” në javët e fundit.

Një zëdhënës i Home Office tha se “numri i papranueshëm i njerëzve që rrezikojnë jetën e tyre duke bërë këto kalime të rrezikshme po vendos një tendosje të paprecedentë në sistemin tonë të azilit”.

“Prioriteti ynë është ta ndalojmë këtë dhe të parandalojmë këto kalime të paligjshme, dhe komanda jonë e re operative e varkave të vogla – e përforcuar nga qindra staf shtesë – po punon shumë për të prishur modelin e biznesit të kontrabandistëve të njerëzve”.

Kjo vjen pasi një organizatë bamirëse kryesore për refugjatët llogariti se më shumë se 45 mijë njerëz që kanë kaluar Kanalin me varka të vogla këtë vit do të ishin ndaluar për një kohë të pacaktuar në një “harresë të përhershme” sipas politikës së migracionit të qeverisë konservatore.

Një analizë nga Këshilli i Refugjatëve zbuloi se, për shkak të mungesës së marrëveshjeve për kthimin me vendet e tjera, 45 mijë e 237 burra, gra dhe fëmijë që mbërritën në vitin 2022 do të ishin mbajtur në paraburgim, por nuk do të ishin dëbuar.

Shifrat tregojnë një rritje prej 60% krahasuar me të dhënat e disponueshme të vitit të kaluar.

Qeveria mendohet se po punon për projektligjin që do t’i ndalojë azilkërkuesit të përdorin Aktin e të Drejtave të Njeriut për të shmangur dëbimin.

Për shembull, refugjatët tani janë në gjendje të pretendojnë të drejtën e tyre për jetë familjare ose e drejta për liri është shkelur, përcjell AlbanianPost.

Në një intervistë me TalkTV, Sunak pretendoi se ligji do t’i jepte shtetit kompetenca për të ndaluar emigrantët dhe për t’i kthyer ata në vendin e tyre të origjinës ose në një vend të tretë, siç është Ruanda.

Megjithatë, Këshilli i Refugjatëve paralajmëroi se, bazuar në kalimet e vitit të kaluar, Britanisë së Madhe do t’i kushtonte gati 1 miliard paund në vit për të ndaluar të gjithë ata që mbërrijnë.

Një burim qeveritar i tha “Times” se Kryeministri dhe sekretari i Brendshëm po punojnë vazhdimisht për të sjellë legjislacionin sa më shpejt të jetë e mundur.

Të ngjashme