Lajme
Historiani zviceran Schmitt: Diplomacia zvicerane në Kosovë nuk është fort e dukshme
Demokracia
12:27 | 11 Tetor 2023

Share:

“Diplomacia zvicerane në Kosovë nuk është fort e dukshme” – kështu është shprehur historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, i cili ka folur për Swissinfo.ch, për situatën në Kosovë dhe dështimet e Zvicrës dhe vendeve tjera perëndimore.

Derisa i është përgjigjur një pyetjeje se presidenti rus, Vladimir Putin, ka krahasuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999 duke thënë se ndërhyrja ishte në anën e Kosovës, dhe se shpesh duke përdorur forcën ushtarake Rusia ka imponuar lëvizje separatiste pro-ruse në Abkhazi, Osetinë e Jugut, Transnistria dhe në Ukrainën lindore, Schmitt tha se këto ndërhyrje janë krejtësisht të ndryshme.

“Njëra ishte ndërhyrje humanitare për të parandaluar një nga krimet më të mëdha që nga viti 1945, tjetra është politika cinike e pushtetit për të dobësuar shtetet sovrane”, tha Schmitt.

Ai tha se Rusia po përpiqet të ndërtojë një teori të së drejtës ndërkombëtare që injoron qëllimisht kontekstin: nga fundi i viteve 1980 nën direktivat e Slobodan Millosheviqit, Serbia ndoqi qëllimin e diskriminimit dhe përfundimisht dëbimit të shumicës shqiptare në Kosovë.

“Serbia ka kryer krimet më të rënda të të drejtave të njeriut me autorë serbë që vrasin dhe përdorin sistematikisht dhunë seksuale kundër popullatës, duke shkatërruar 40,000 shtëpi dhe një pjesë të madhe të trashëgimisë kulturore”, u shpreh Schmitt.

Sipas tij, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe parandalimin e dëbimit masiv.

Raportet Kosovë – Zvicër

Zvicra e ka njohur shtetin e Kosovës në muajin e parë që ajo shpalli pavarësinë e saj.

Sipas Schmitt, njohja ishte e ngathët sepse ishte spontane dhe jo e përfshirë në ndonjë strategji.

“Sot diplomacia zvicerane në Kosovë nuk është fort e dukshme, duke marrë parasysh rëndësinë e Zvicrës në Kosovë dhe të diasporës kosovare në Zvicër – ajo është më pak aktive sesa Austria”, u shpreh historiani Shmitt, transmeton Reporteri.net.

Ai thotë se politikanët zviceranë, për shembull, pothuajse kurrë nuk shfaqen në Kosovë.

“Nga ana tjetër, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, ndërhynë në fushatën zgjedhore zvicerane në emër të partisë së tij partnere, Partisë Socieldemoktare.

“Megjitatë, Zvicra duhet të ketë interes për të ofruar informacion për publikun në Kosovë, veçanërisht për sistemin politik zviceran. Gjatë vizitës sime më të fundit në Kosovë, vura re se idetë islamiste po përhapeshin në disa pjesë të brezit të ri. Ky zhvillim shqetëson edhe shumicën laike në Kosovë. Edhe Perëndimi mban njëfarë përgjegjësie për ngritjen e rrymave islamike: Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku popullit nuk iu dha liria e udhëtimit pa viza për një kohë shumë të gjatë. Në vend të kësaj, kosovarët mund të udhëtonin kryesisht në vendet islame, dhe këta i mbështesnin në mënyra shumë aktive, për shembull edhe përmes bursave”, shpjegon historiani zviceran.

“Pra, ne në Perëndim nuk duhet të çuditemi nëse të rinjtë kthehen nga Turqia ose nga vendet e Gjirit me mendësinë e regjimeve atje. Të njëjtat shtete kanë investuar edhe në shkolla, universitete dhe spitale në Kosovë. Kosova është e vogël. Me një përdorim të menaxhueshëm, por të përqendruar të fondeve, por edhe me gjeste më të forta politike, që vendet e pasura si Zvicra mund të arrinin shumë. Por kam përshtypjen se politikanët zviceranë po i shmangin sytë – nga krahu i majtë në të djathtë, ende nuk ka një strategji koherente se si të merren me diasporën e madhe kosovare. Derisa kosovarët dinë shumë për Zvicrën, as përfaqësuesit e elitës zvicerane nuk e kanë idenë për Kosovën”, ka thënë historiani Oliver Jens Schmitt./Reporteri.net

Historiani Oliver Jens Schmitt, nga Bazeli, është profesor në Institutin për Historinë e Evropës Lindore në Universitetin e Vjenës. Fushat e tij të specializimit përfshijnë zhvillimet socio-kulturore në Ballkanin shqiptar, fashizmin në Evropën Lindore me fokus në Rumani dhe shoqërinë dhe politikën në Perandorinë e vonë Osmane. Ai shkroi librin “Kosova: Histori e shkurtër e një peizazhi të Ballkanit Qendror” për Kosovën.

Të ngjashme