Fernando Valente, trajneri portugez 62-vjeçar, i cili vitet e fundit ka drejtuar ekipin ukrainas të Shakhtarit U-21, ka ndarë me botën në rrjetet e tij sociale historinë e Giorgi Sudakov.
“Histori lufte! Giorgi Sudakov është talenti më i madh që kam stërvitur në jetën time. 19 vjeç, pjesë e kombëtares A të Ukrainës, së fundi ka rinovuar kontratën me Shakhtarin deri në vitin 2026. Qenie njerëzore fantastike, që pret të bëhet babai i një vajze me gruan e tij Lisa…”, – kështu e prezanton Fernando Valente “nxënësin” e tij.
Dhe vazhdon: “Ëndrrat e tij të mëdha janë ngujuar në një bunker nga një luftë e pakuptimtë. Po…, unë qaj dhe lutem për këtë çift dhe për të gjithë lojtarët e miqtë e mi të rinj që lashë pas në një Ukrainë që më bëri të lumtur për dy vite. Zemra ime është thyer”.
Fjalë zemre dhe histori prekëse, të bëra të ditura nga trajneri portugez në Facebook dhe Twitter. Sudakov, i cili u dallua si mesfushor para se Rusia të fillonte pushtimin e Ukrainës, që tashmë ka luajtur tri herë me kombëtaren e tij të parë, falënderoi Fernando Valente për mesazhin e tij në Instagram.
“Sudakov është një fëmijë me potencial të jashtëzakonshëm, madje edhe për të luajtur me Barcelona apo Manchester City. Ai ishte talenti më i madh që kam stërvitur, një nga lidhjet më të forta që kam në Ukrainë. Në telefonin tim mbaj një foto të tij dhe të dashurës, e cila është shtatzënë, para konfliktit.
Të dy ishin mjaft të lumtur që do të bëheshin prindër. Sidoqoftë, pak kohë më pas, ata më dërguan këtë foto të ngujimit në një bunker, mjaft të pikëlluar. Sa herë e shoh këtë foto më rrjedhin lotët nga sytë”, – tha Fernando Valente për “Lusa Agency”.