Lutfi Dervishi
Babai i Hashim Thaçit do të varroset pa praninë e të birit. Gjykata Speciale nuk i ka dhëne leje të marrë pjesë në varrim. Nuk e lejojnë të qëndrojë pranë arkivolit, të vendosë dorën mbi supin e vëllait, të thote një fjalë të fundit për njeriun që e rriti dhe të hedhë një dorë dhé…
Kjo prani e mohuar, është gozhdë jo në arkivolin e bacës Haxhi, por në të ardhmen e Kosovës
Vendimi është një goditje e rëndë. Jo vetëm për familjen Thaçi, por për gjithë ata që besuan se drejtësia duhet të jetë e drejtë.
Të ndalosh një bir nga nderimi i fundit është çnjerëzore. Nuk është drejtësi. Nuk është as ndëshkim. Është përçmim. Është një akt që nuk ka të bëjë më me ligjin.
Indinjatë. Revoltë. Këto fjalë nuk përshkruajnë dhimbjen që shkakton një padrejtësi e tillë. Çdo shqiptar që ka humbur një prind e kupton peshën e kësaj tragjedie. Një popull që ka kaluar nëpër luftë, arratisje, varfëri, shtypje dhe mungesa e di çfarë do të thotë humbja. Dhe di që në atë moment të fundit, njeriu ka të drejtën të jetë pranë familjes.
Por jo këtë herë.
Jo për një njeri që luftoi dhe e pa vdekjen në sy. Jo për një njeri që gjykohet. Jo për një shqiptar që mbahet peng në Hagë.
Gjykata Speciale po i tregon Kosovës se nuk ka vend për ndjenja. Nuk ka vend për humanizëm. Nuk ka vend për logjike. Ka vetëm rregulla të ftohta, vendime të thata, dhe një qëllim të qartë: të poshtërojnë, të thyejnë, të mohojnë çdo lloj dinjiteti.
Por a mund të mohohet dinjiteti? A mund të ndalojnë shqiptarët së kujtuari e së nderuari të vdekurit e tyre?
Jo.
Sepse kjo nuk është vetëm një çështje personale. Kjo nuk është vetëm për Hashim Thaçin. Kjo është për Kosovën. Për atë që ajo përfaqëson, për sakrificën e një lufte që nuk mund të fshihet me vendime gjykatash.
Drejtësia nuk mund të jetë vetëm ndëshkim. Drejtësia nuk mund të jetë vetëm për një palë. Dhe mbi të gjitha, drejtësia nuk mund të mohojë atë që është më themelore për një njeri: të japë lamtumirën e fundit.
Historia do ta mbajë mend këtë ditë. Dhe nuk do ta harrojë.