Lajme
Hipokrizia e Vjosa Osmanit | Dëgjojeni fjalimin e saj si mundohej t’i bindte deputetët për Gjykatën Speciale: Nëse s’e bënë Kosova, do ta bëjë Rusia
Demokracia
18:45 | 24 Korrik 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është zënë në hipokrizi të plotë për “presionin” për themelimin e Gjykatës Speciale, temë të cilën e nisi ajo vetë të premten.

Në fjalimin e vitit 2015, deputetja Osmani argumentonte në Kuvendin e Kosovës se nëse Gjykatën Speciale nuk e themelon Kosova, këtë do ta bëjë Rusia nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se Rezolutën e saj nuk do ta parandalonte SHBA-ja, përcjell Demokracia.com.

“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë, sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, ka thënë Osmani të premten, më 22 korrik, duke aluduar për ish-presidentin Thaçi.

Përgjigjja e presidentes Osmani erdhi pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë, e cila është pikënisje e një beteje për të shfuqizuar raportin skandaloz dhe trillues të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, pasi hetimet ndërkombëtare kanë vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e këtij raporti për trafikim të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.

Por, Demokracia.com ka gjetur videon e fjalimit të Osmanit, gjatë kohës sa ishte deputete e LDK-së dhe në fjalimin e saj, ajo mundohej gjatë gjithë kohës që të bindte deputetët që të votojnë ndryshimet kushtetuese për themelimin e kësaj gjykate.

Në këtë fjalim, Osmani siguron qytetarët se po voton pro kësaj gjykate me vullnet të lirë dhe pa presionin e askujt.

“Dua të siguroj qytetarët e Kosovës që njësoj si çdo vendim tjetër që e kam marrë gjatë tërë mandatit si përfaqësuese e tyre, se edhe ky vendim i imi sot nuk është bërë dhe kurrë nuk do të ndodhë të bëhet nën presion e as në orientimin e askujt, por me bindje të plotë se nëpërmjet këtij veprimi marrim përgjegjësi shtetërore dhe parandalojmë një të keqe shumë më të madhe që po i kanoset Kosovës”, thoshte Osmani në qershorin e vitit 2015.

Sipas Osmanit, kjo e keqe e madhe që po i kanosej Kosovës, ishte që Gjykata Speciale të themelohej me iniciativën e Rusisë në Këshillin e Sigurimit dhe kjo nuk do të parandalohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo rezolutë që, sipas të gjitha gjasave, do ta sponsorizohej nga Rusia, për dallim prej amendamentit që e kemi sot para nesh, nuk do të parashihte që ligjet e aplikueshme janë ato të Kosovës dhe Kushtetuta e Kosovës, nuk do të parashihte afat kohor për funksionimin e vet derisa do të shfuqizohej rezoluta nga po të njëjtit anëtarë permanentë të Këshillit të Sigurimit dhe po ashtu do ta përfshinte gjenocidin si vepër, për të cilën do të akuzoheshin të gjykuarit potencialë para kësaj gjykate”, thoshte Osmani.

Për më tepër, sipas saj: “Kushdo që beson se Rusia nuk do ta bëjë këtë, apo se mendon se ndonjëra nga shtetet që janë po ashtu anëtare permanente të Këshillit të Sigurimit do ta ndalë, është mirë të takojë dhe të bisedojë me misionet e përhershme të këtyre shteteve në Kombet e Bashkuara. Edhe diçka, Samantha Powers, që është, të nderuar deputetë ambasadore e SHBA-ve në misionin e përhershëm të këtij shteti në Kombet e Bashkuara, e ka dëshmuar shumë qartë se kë e konsideron ajo viktimë, e kë agresor në luftën e fundit të Kosovës. Ju ftoj ta lexoni librin e saj, ndër tjera, edhe për gjenocidin në Kosovë, por ajo po ashtu ka thënë shumë qartë që përderisa e njeh kush ka qenë agresor dhe kush viktimë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta parandalojnë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do ta themelonte një gjykatë speciale për Kosovën, që po ashtu do të bazohej në raportin e Dik Martit, por do t’i përfshinte të gjitha elementet që i përmenda më herët”, deklaronte Osmani.

I gjithë ky debat është nxitur nga vetë Osmani, e cila tha se nuk ka ndonjë përshëndetje speciale për Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, e miratuar më 21 korrik 2022 mbi “Pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e organeve në Shqipëri dhe Kosovë”.

Gjatë debatit në Kuvend, kryeministri Edi Rama ka thënë se kjo nuk është një rezolutë e zakonshme.

“Është rezolutë ndryshe nga të tjerat, sepse është fillimi i një rruge që do të shkojë në Strasburg. Kjo rezolutë synon të lëvizë Këshillin e Europës”, ka thënë Rama.

“Dick Marty nuk është më anëtar i Asamblesë [Parlamentare të Këshillit të Evropës]. Ne nuk e kemi fare me Dick Martyn. Ne tash e kemi me reputacionin dhe dinjitetin e një Asambleje në Këshillin e Evropës, e cila është çuar dhe e ka votuar atë. Në rregull, e kanë votuar se kanë menduar se duhet të hetohet. Ky proces hetimesh nuk ka sjellë asnjë drejtësi për viktimat e presupozuara, por ka bërë viktima figurat kryesore të UÇK-së, sepse i tillë ka qenë edhe qëllimi… ka bërë viktimë botërore Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – një nga momentet më të rëndësishme të krenarisë kombëtare të shqiptarëve”, ka thënë Rama. /Demokracia.com/

Të ngjashme